Koreja e Veriut lëshon 4 raketa gjatë stërvitjes së SHBA-së dhe Koresë së Jugut
Koreja e Veriut ka lëshuar 4 raketa gjatë stërvitjes së përbashkët ushtarake që vazhdon mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut thuhet se Koreja e Veriut lëshoi në orët e drekës nga brigjet e saj perëndimore 4 raketa me rreze të shkurtër. Më tej theksohet se raketat pas lëshimit fluturuan rreth 130 kilometra dhe ranë në det në pjesën perëndimore të vendit.
Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut ka njoftuar se në stërvitjen e cila planifikohet të përfundojë sot do të përfshihet të paktën një avion bombardues “B-1B”.
Në stërvitjen ajrore për të cilën thuhet se është më e madhja e kohërave të fundit, Koreja e Jugut merr pjesë me rreth 240 avionë luftarakë.
Koreja e Veriut, përpara stërvitjes i quajti stërvitjet si “përgatitje për pushtim të mundshëm” dhe paralajmëroi SHBA-në se do të zbatojë “masa të fuqishme pasuese” dhe më pas kreu të paktën 10 testime raketore.
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut filluan stërvitjet e përbashkëta ajrore në shkallë të gjerë në Gadishullin Korean, ku tensionet u rritën pas testimeve raketore të Koresë së Veriut.
Stërvitjet e përbashkëta ajrore të SHBA-së dhe Koresë së Jugut u mbajtën për herë të parë në vitin 2015 dhe më vonë u pezulluan nga administrata e presidentit të atëhershëm të Koresë së Jugut, Moon Jae-in në vitin 2018 si pjesë e përpjekjeve për pajtimin me Korenë e Veriut.
Koreja e Veriut e cila në muajt e fundit ka shkaktuar reagime me testimet e saj raketore, së fundmi lëshoi më 28 tetor dy raketa balistike në drejtim të Detit Lindor (Detit të Japonisë).
Qeveria e Phenianit që nga fillimi i vitit 2022 ka kryer testimin e 28-të të saj duke shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB).