Dhunë Dhunë Dhunë

Shkruan: Muhammed Veli

Ngjarjet skandaloze me interval të afërt mes tyre jehojnë njëzëri: Dhunë, Dhunë, Dhunë.

Mendësia shqiptare kudo tundet nga skenat, paraqitjet dhe format e ndryshme në të cilat na shfaqet dhuna. Së fundmi dhuna ndaj një të moshuare, para asaj dhunë fizike ndaj një vajze, para asaj përdhunime, para asaj gjetjen e armëve ndër adoleshentë në shkollat e mesme.

Ngjarjet jehojnë duke e marrë vëmendjen e duhur dhe jehona e tyre seç kristalizon në dukje një imazh të normalizuar (deri para ca kohësh të vagullt) në mendësinë tonë.

Dhuna na thërret që ta shohim më mirë, dhe do të vazhdojë të thërresë derisa veshët tanë ta dëgjojnë.
Imazhi i dhunës rrinte i heshtur si damar karakterizues i shqiptarit dhe gjente shprehje në gatishmërinë për revolt, për t’u mbrojtur, për të sulmuar, për të shkëlqyer në krim të organizuar, për të larë hesapet një me një, dy me dy, fis me fis, shtet me shtet.

Dhuna është më tepër se e pranishme në filogjenezën e njeriut, në atë të historisë së popujve dhe kombeve. Sa i takon kombit shqiptar, gatishmëria karakteristike për dhunë ka gjenezë të hershme dhe tejet komplekse.

Që nga ndryshimi i okupimeve në periudhën proto-shqiptare, deri te sulmet dhe plaçkitjet dhe dyndjet masive të popujve, dhuna është gjithë-prezente, kryesisht në funksion të mbrojtjes.  Si rezultat, nevoja për të ruajtur organizimin shoqëror në mungesë të shtetit i dhanë përparësi vetorganizimit të popujve nën zgjedhat që ndryshonin, me këtë lindën dhe kanunet.

Internalizimi i kanunit, brendësimi dhe përcjellja e rregullave që justifikonin dhunën (në situata të ndryshme) plagosi rëndë kombin shqiptar, dhuna përcillej si mallkim nga brezi në brez. Rezultati ishte i tmerrshëm, njollat mbi nderin e njërës palë laheshin me gjakun e palës tjetër, me çka njollosej nderi i kësaj tjetrës, duke krijuar një zinxhir paradoksal të vdekjes, një rreth të vetvarur, të rikrijueshëm të dhunës dhe shuarjes së një kombi. Një lavatriçe gjaku për nderin.

Gatishmëria për dhunë në aspektin pozitiv solli gatishmëri në luftën për liri, shkak se kjo nënkupton pranim të pasojave që vijnë nga lufta (lufta si dhunë masive). Rrjedhimisht, gatishmëria për dhunë nënkupton gatishmëri për luftë dhe kur liria hyn në ekuacion si një synim, shqiptarët dallohen ndër radhët e kombeve.

Ja që Dhuna jehon, kërkon të shihet, siç Dhimbja kërkon të shihet që të mund të kalojë në shërim.
Ndër të tjera etimologjia e fjalës dhunë rrjedh nga fjala proto-indo-europiane *h₁(e)dun-eh₂ që nënkupton dhimbje.

Nëse Dhimbja do parë atëherë kemi shumë çka të shohim. Përdhunimet masive, masakrat, torturat dhe varrezat e pagjetura flenë në damarët tanë si plagë të pashëruara të cilave duhet vazhdimisht t’u kthehemi, me shumë dashuri, përkushtim dhe durim.

Normalizimi i dhunës së prindërve ndaj fëmijëve si recetë për të krijuar një të rritur të shëndoshë dhe të bindshëm ende është preferencë dominante e stilit prindëror në rritjen e shumë fëmijëve. Do t’i biente që ne dhunojmë shkak dhimbjes që e kemi. Por Dhimbja jonë kërkon dashuri në vend të përligjjies së Dhunës.

Vetëdija e përbashkët aktualisht e shikon në pasqyrë veten, duke shpalosur bindjet tona të thella për dhunën. Dhuna pasqyrohet në raste që pavetëdija i gjuan jashtë, duke e zhveshur damarin përbërës e përshkrues së identitetit tonë.

Pyetjet pasuese (rrëqethëse) që lindin janë rreth justifikimit të dhunës, përdorimit të dhunës, dhunës ndaj grave, nderi i gruas, dhuna ndaj të moshuarve, çështjet rreth besimit institucional dhe në sjelljen e drejtësisë ose varje të sëpatës mbi shtetin si pushtet ekzekutiv dhe ligjvënës.

Pyetjet që piqen në pavetëdije dhe që do të shfaqen më tej janë dhuna ndaj fëmijëve, si fillesë dhe ushqim kryesor për krijimin e zinxhirit të dhunës. Dhuna gjithsesi zanafillën e ka dhe në traumë të hershme, siç u cek, në dhimbje.

Por imazhet e mendësisë së një populli transformohen siç transformohet koha, siç transformohet sistemi, siç vjen koha të transformohet tërë populli. Ndërsa kombi transformohet kur është gati dhe atëherë kur rrethanat janë të volitshme. Ngecja paraqet mungesë adaptimi ose mungesë përshtatjeje ndaj rrethanave të reja që i kërkon koha. Në fakt ky edhe është definicion për patologji.

Dalja nga rrethi vicioz i dhunës në nivel individual nënkupton rishikim i çdo individi me vetveten për bindjet në lidhje me përdorimin dhe justifikimin e dhunës, në sjelljen ndaj personit tjetër, në qasjen ndaj zgjidhjes së problemeve, në kontaktet e para të secilit me dhunën (familjare, shoqërore).

Dalja nga rrethi vicioz në nivel kolektiv nënkupton gatishmëri institucionale për të siguruar drejtësi dhe për t’u përballur me të gjitha pengesat që i dalin kësaj. Mungesa e pu(shtetit) të sigurt dhe të besueshëm është ndër faktorët e nxitësve të dhunës, meqë individi e merr përsipër vetë të kërkojë drejtësi, në mënyrën e vet, të vjetrën, të kanunit. Kjo si pasojë sjell fshehjen e dhunës, normalizimin e saj, vendosjen e saj si stoli të përditshmërisë sonë, gatishmëri që siguron mbijetesë.

Hapat e tjerë janë kampanjat kundër dhunës dhe ngritjen e vetëdijes rreth dhunës në familje – si një mikrokozmos ku fillon mësimi dhe normalizimi me dhunën.  Së fundmi duhet ta dimë se ky nuk është epizodi i fundit i shfaqjes së Dhunës. Përveç që do ta gjejmë të hiperbolizuar në muzikë do ta hasim edhe në punë, në shkollë, në shtëpi, në institucion, në polici, në videot në fejsbuk.

Shfaqjet e saj dhe vëmendja që e fiton janë indikatorë të shkundjes nga përvoja e shekujve të mësimit të shqiptarit me të, dhe të ndryshimit të rrënjësishëm të qasjes së tij ndaj saj.

Vijon dhe një rikthim në plagët dhe dhimbjen që bart secili prej nesh nga e kaluara personale, si dhe në plagët dhe dhimbjet që bart dhe kombi shqiptar nga e kaluara e përbashkët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button