EMV-ja në nëntor do të shfrytëzojë gazin e Makpetrollit, ndërsa nga Bullgaria do të merren 500 mijë metra kub çdo ditë

SHA EMV do të furnizojë gaz natyror nga “Makpetrol” për ngrohtoret “Lindje” dhe “Perëndim” për periudhën nga 1 deri më 15 nëntor dhe për KOGEL në filialin “Energjetikë” për periudhën nga data 1 nëntor deri më 30. njoftojnë nga kompania, raporton MIA.

“Duke qenë se termocentrali privat i gazit TE-TO ka siguruar gaz për regjimin e funksionimit për muajin nëntor, nuk është bërë asnjë blerje për të nga SHA EMV. Kompania PGO raportoi se nuk mund të fillojë dërgesat nga 1 nëntori, por nga 15 nëntori, e cila do të jetë objekt i një oferte të re. Me këtë ofertues do të duhet të kompletohet komunikimi për dokumentet tjera që kërkohen para lidhjes së kontratës, kumtoi SHA EMV.

Për periudhën e ardhshme, thuhet në njoftim, do të kërkohen oferta të reja nga kompanitë e interesuara për furnizim, përkatësisht për ngrohtoren “Lindje” dhe “Perëndim”, për KOGEL në “Energjetikë” dhe për angazhimin e mundshëm të termocentralit privat të gazit TE -TO nga ana e SHA EMV.

“Blerja e gazit natyror për një periudhë më të shkurtër kohore është bërë për faktin se çmimet e gazit natyror kanë rënë në bursa dhe pritshmëria është që të sigurohen kushte më të favorshme, në radhë të parë financiare, nëse ai blihet në mënyrë të njëpasnjëshme. për periudha më të shkurtra, thonë nga EMV.

Ata theksojnë se në ditët në vijim, EMV Shpërndarja e nxehtësisë do të nënshkruajë edhe marrëveshje me TE-TO për muajin nëntor për marrjen e energjisë termike nga ky termocentral, i cili do të duhet të hyjë në sistemin e energjisë termike për qytetin e Shkupit.

“SHA EMV tashmë e ka informuar opinionin se lëndë djegëse alternative për ngrohje është karburanti dizel, të cilin objektet teknikisht dhe teknologjikisht po përgatiten për ta përdorur dhe është më e lehtë për t’u blerë. SHA EMV me kompanitë e veta të energjisë termike vazhdimisht furnizon me ngrohje qytetin e Shkupit dhe do të vazhdojë të bëjë edhe në periudhën e ardhshme, thonë nga SHA EMV. 

Maqedonia e Veriut do të mund të furnizohet nga më shumë burime të gazit përmes Bullgarisë. Kjo është mundësuar pas nënshkrimit të sotëm të Marrëveshjes për lidhje ndërsistemore për furnizim dhe distribuim të gazit në Pikën ndërlidhëse Qystendil – Zhilidovë mes SHA GA-MA dhe Bullgartransgaz.

Marrëveshjen e nënshkruan drejtori ekzekutiv i SHA GA-MA, Aleksandar Arsiq dhe drejtori ekzekutiv i Bullgartransgaz, Vlladimir Malinov, ndërsa mori pjesë edhe drejtori ekzekutiv i Resurseve Nacionale Energjetike SHA Shkup, Bajram Rexhepi. Dokumenti u nënshkrua në prani të ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministrit të energjetikës së Bullgarisë Rosen Hristov dhe ambasadores së Maqedonisë në Sofje, Agnesa Rusi-Popovska.

“Ato do të mund të dërgojnë gaz natyror të lëngshëm dhe të shfrytëzojnë depon tonë në Çiren, tha Malinov dhe shtoi se do të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese dhe sipas dokumentit të nënshkruar do të barten 500.000 metra kub gaz natyror në Maqedoninë e Veriut në ditë.

Fillimi i zbatimit është dakorduar që të jetë prej 01.01.2023. Periudha deri në fillimin e zbatimit do të shfrytëzohet si periudhë testimi mes dy operatorëve, me çka do të duhet edhe në praktikë të përgatiten të gjitha procedurat e punës. Në ndërkohë duhet të nënshkruhen marrëveshje të reja me furnizuesit dhe shfrytëzuesit dhe të miratohen rregulla të reja të punës.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button