Lëvizja Besa kërkon nga Qeveria të tërheq prapa vendimin për ndalesën ndaj komunave për formimin e NP për ndriçim publik

Qeveria me vendimin për ndalesën ndaj komunave për themelim të ndërmarrjeve publike, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar ose shoqëri aksionare ndriçim publik, rrezikon që komunat dhe qytetarët t’i lë në errësirë. Kështu e konsiderojnë nga Lëvizja Besa këtë vendim të shpallur dje nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, dhe të njëjtin kërkojnë nga Qeveria ta tërheq prapa, shkruan Portalb.mk.

Përmes një konference për shtyp, nënkryetari i Lëvizjes Besa, Blerim Sejdiu njoftoi se ata si parti vlerësojnë se ky vendim është politik duke u mohuar komunave që udhëhiqen nga opozita që të menaxhojnë me ndriçimin publik në mënyrë efikase dhe në shërbim të qytetarëve.

“Është tendencioz qëndrimi i Qeverisë që komunat do të keqpërdorin themelimin e ndërmarrjeve publike sepse shumë mirë dihet se pushteti qendror jo vetëm që ka dështuar në marrjen e masave të zbutjes së pasojave nga kriza energjetike, me këtë vendim tenton që edhe komunave të ua pamundësojë komunave të u shërbejnë qytetarëve të tyre”, tha Sejdiu duke kërkuar nga Qeveria të tërheq prapa këtë vendim.

Ai shtoi se do të informojnë institucionet relevante dhe përfaqësitë diplomatike për këtë vendim të Qeverisë, duke e konsideruar se kjo është në kundërshtim me normativat për vetëqeverisjet lokale.

Kujtojmë që dje, kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve dhe manipulimeve në ofrimin e shërbimit universal në tregun e energjisë elektrike, Qeveria me vendim ua ndalon komunave dhe Qytetit të Shkupit të themelojnë ndërmarrje publike, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ose shoqëri aksionare për kryerjen e veprimtarisë nga interesi i veprimtarive publike – ndriçimi publik.

Ky vendim, siç tha ai, është marrë për shkak se sipas njohurive komunat kanë themeluar ndërmarrje ose veprimtari për ndriçim publik apo ua kanë caktuar ndërmarrjeve publike ekzistuese.

Nga ana tjetër, Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e fundit votoi propozim-vendim për themelimin e shoqërisë tregtare “Elektro Tetova”. Sipas Komunës kjo shoqëri tregtare formohet për të menaxhuar në mënyrë më efikase energjinë elektrike në qytet, veçanërisht në fushën e ndriçimit publik. Kjo komunë ka borxh prej 37 milion denarësh ndaj një kompanie e cila furnizonte me ndriçim publik.

Pyetëm kryetarin e Këshillit të Komunës së Tetovës se si do të veprohet më tutje pas vendimit të Qeverisë, na tha të i referohemi konferencës për shtyp nga partia, ndërsa nesër do të ketë qëndrim të tij.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button