Alternativa propozoi amandament kushtetues për luftimin e korrupsionit nga funksionarët në pushtet

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi në konferencën e sotme për shtyp informoi se subjekti që ai drejton ka propozuar një amendament kushtetues për parandalimin e korrupsionit në vend nga funksionarët në pushtet, njofton Portalb.

Sipas këtij propozimi, ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike.

“Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona te emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike.mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme. Me këtë amendament plotësohet neni 52 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Amendamenti do të jetë paragrafi nr. 5 i këtij neni, i cili do të vijojë pas paragrafit nr. 4, në cilin parashikohet se: ‘Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët’. Amendamenti i propozuar do të jetë bazë e cila do të krijojë mundësi për ndryshime dhe plotësime me nen të ri nr. 112-a në Kodin Penal, që aty të parashikohet dispozitë me të cilën veprat eventuale penale nga personat e zgjedhur ose te emëruar, të cilat janë kategorizuar si vepra penale kundër detyrës zyrtare, asnjëherë të mos mund të vjetrohen. Kjo nënkupton edhe zgjerimin e përfshirjes së konfiskimit të pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme edhe nëse është regjistruar në emër të personave të tretë”, theksoi Gashi.

Sipas Gashit, me këtë amendament do të krijohet bazë e mirë kushtetuese për revidimin e të gjitha procedurave gjyqësore për persona që tash ose më herët janë zgjedhur ose emëruar, e të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetrimit eventual të përgjegjësisë penale.

“Në të vërtetë, ky amendament do të jetë në frymën e kërkesave të qytetarëve për të pasur sundim të së drejtës, siguri juridike dhe barazi para ligjit dhe para procedurave gjyqësore të të gjithë personave të emëruar ose të zgjedhur, të cilët me propozim të partive politike, që kanë pasur ose aktualisht kanë funksione në pushtetit ligjëdhënës, ekzekutiv dhe lokal, kanë abuzuar ose abuzojnë me ndikimin e tyre dhe kanë ushtruar ose ushtrojnë presion për prolongimin e procedurave kundër tyre derisa ato të vjetrohen. Ne mendojmë se lufta kundër korrupsionit dhe nevoja për çrrënjosjen e veseve jashtëzakonisht të liga për korrupsion politik dhe evitim të drejtësisë me përpjekje për ndikim në gjyqësor, janë kancer i shoqërisë, që edhe politikën e shndërrojnë në profesionin më të urryer”, tha ai.

Gashi paralajmëroi se në periudhën që vijon do të kenë konsultime të gjera me të gjithë faktorët relevant shoqëror, me qëllim që, siç tha ai, të sigurojmë mbështetje sa më të madhe konsensuale për realizimin e këtij propozimi të Alternativës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button