LIDERSHIPI SHPIRTËROR  (3)

Roli i prijësit për qytetin është si i ai i mjekut për shëndetin.

Farabiu

 

Sipas botëkuptimit islamik, politika nuk është mjet për të arritur pushtet, por për t’i dhënë fund shtypjes, për ta bërë drejtësinë dominante në shoqëri, për t’i shërbyer popullit dhe për t’ia mësuar atij virtytet humane. Posti nuk i jepet personit që e kërkon. Ka tradita profetike (hadithe) që dekurajojnë vetë-promovimin, që afirmojnë cilësi si modestia, përulësia ndaj ofertave për udhëheqje dhe preferimi i të tjerëve mbi veten. (Callahan, 2013: 187) “Do tregoheni shumë të etur për të marrë pozita udhëheqëse që do jenë shkak i dëshpërimit në Ditën e Gjykimit” (Buhari, Ahkam 7). “Një person që merr përgjegjësinë e qeverisjes së njerëzve nuk do ta shijojë parajsën përderisa nuk i trajton të qeverisurit (ndjekësit) siç mendon për vetëveten dhe familjen e vet!’ (Buhari) Por nga ana tjetër profeti Muhamed lavdëron liderin që vepron me drejtësi, i cili është një nga shtatë kategoritë që do të gjejnë hije atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër pos asaj të falur nga Zoti. Për filozofin e mirënjohur Farabi (870-950), dija (maʿrifeh) dhe lidershipi (riʾāseh) janë të ndërvarura mes vete. Administrimi politik duhet të balancohet me etikë. Lideri duhet të ketë veçori profetike. Njeri i përsosur është ai që jep gjithça për të mirën e shoqërisë, që kënaqësinë e gjen në shërbimin ndaj interesit dhe të mirës kolektive. Ëndrra e Farabiut ka qenë qyteti ideal, i virtytshëm (el-medineh el-fadilah), që është e kundërta e atij ta paditur, të ligë, të shpërudhur. Sipas Maverdiut (970-1058), lideri duhet të jetë i drejtë, me dituri të avancuar, i guximshëm dhe i shëndetshëm (Rüzgar, 2022: 83). Për Gazaliun (1058-1111), zotëruesi i vërtetë i pushtetit është Zoti, kështuqë menaxhuesi duhet ta respektojë Atë në çdo veprim (Ak & Ak, 2015). Qeverisja islame ka tre parime të veçanta: respekti ndaj shoqërisë, shmangia mëkateve dhe implementimi i ligjit. Sipas Suhraverdit (1154-1191), prijësi duhet të jetë i drejtë, i urtë, i guximshëm, dorëdhënë, i ëmbël, i besës, i mëshirshëm, durimtar, falës, mirënjohës, i dijshëm, fisnik, i dinjitetshëm. Ibn Tejmijje (1263-1328) fuqinë e lidershipit e cilëson si dije të drejtësisë të bazuar në Kur’an dhe traditën profetike, si aftësi për të implementuar vendime, si besim që është kriter që ngërthen frikën nga Zoti, të shmagurit korrupsionit dhe eliminimin e frikës nga populli që lidhet me kurajon për të marrë dhe realizuar vendime. Ibn Khalduni, themeluesi i sociologjisë, mendon se mirësia, prirja për ndjenjë kolektive ose grupore (asabijjeh) dhe largimi dredhive apo hileve janë tiparet kryesore të çdo lideri. Sipas Tashkopryzades (1494-1561) lideri duhet të jetë i urtë, bindës dhe luftarak. (Yılmaz, 2019:69) Sipas Naimasë (1655-1716) lideri largpamës mund t’ia zgjasë jetën shtetit. Për bashkëkohësin tonë Nouman Ali Khan (1978-) lideri duhet të zbatojë formulën REST: responsibility (përgjegjësia), example (shembullësia), service (shërbimi) dhe taqwa (devocioni).

Në fetë-ideologji si hinduizmi lideri fetar asakarya ose guru ka ardhur në këtë botë për të dhënë mësim përmes shembullit, t’u ndihmojë ndjekësve të rëndomtë për të kuptuar tekstin e shenjtë. Lideri konfucian merr mbështetjen dhe mirëbesimin e  ndjekësve të vet në saje të virtytit dhe jodhunës. Ai duhet të preferojë “qeverisjen përmes virtyteve përkundër qeverisjes nëpërmjet ligjeve.” Konfuci beson se qeveria udhëhiqet nga vlerat personale dhe morale të liderit. Lidershipi taoist përfshin natyrën si standard etik përfundimtar, të keqen si verbëri dhe besimin në mirësinë e njerëzimit (Anderson & Ross, 1998). Në budizëm lidershipi lidhet me edukimin dhe stërvitjen. Për të kultivuar mendjen dhe për të kaluar udhën drejt çlirimit duhet një mësues që shërben si udhëzues drejt iluminimit.

Si përfundim: spiritualiteti nënkupton zemrën që kërkon vetë-transhendimin dhe ndjenjën e të qenët i lidhur ndërvarësisht me të gjitha gjërat dhe qeniet në univers (Kriger & Seng, 2005). Lidershipi shpirtëror bie ndesh me metodologjinë makiaveliste që aplikohet në kontekstin modern, që nga lideri kërkon të jetë dhelpër a luan, që njerëzit t’i frikësohen përpara se ta duan, që thotë se forca apo dhuna janë të domosdoshme për t’i mbajtur ndjekësit besnikë dhe bashkë. Qeveria dhe politika duhet të nxisin jetësimin e virtyteve dhe mbrojtjen nga ligësitë. Pushteti është vegël për të arritur të mirën, paqen dhe lumturinë, jo qëllim për veten. Lidershipi islam nuk është i rezervuar për një elitë të vogël, varësisht nga situata çdokush duhet të marrë përsipër barrën e udhëheqjes, gjithnjë duke marrë informatën kthyese nga ndjekësit. (Faris & Parry, 2011) Lidershipi i mirë, që nënkupton përkushtimin, respektin,  urtësinë dhe llogaridhënien, i kapërcen fetë, racat dhe kombet, është model planetar-universal.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button