“Danella e ka barkun plot, ne jemi të uritur”, u ankuan shoferët e NTP-së dhe për nesër paralajmëruan protestë me familjet

Të punësuarit në NTP Shkup kanë bërë të ditur se nesër në mëngjes do të protestojnë me familjet para qendrës së ndërmarrjes publike nëse sot nuk u paguhet paga e shtatorit. Ata si fajtore për rrogën e papaguar e cilësuan kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska dhe drejtorin e NTP-së, Aleksandar Stojkovski, transmeton Portalb.mk.

“Nesër ramë dakord të vijmë me familjet në orën 4:30 të mëngjesit. Kryetarja dhe Qyteti i Shkupit marrin rrogë, e kanë barkun plot, ne jemi të uritur. Sot është data 19, kur do të marrim pagë, kur do të hamë? Edhe ne kemi fëmijë siç ka ajo fëmijë dhe siç ka fëmijë drejtori. Muaji tetor tashmë ka kaluar, nuk kemi marrë për shtatorin”, tha në konferencën e sotme për media, Afrim Muça, kryetar i sindikatës së pavarur të shoferëve në NTP Shkup.

Ata thonë se për sot do të ketë autobusë, por kjo siç thanë varet nga puna e policisë, e cila po kontrollon të gjithë autobusët për shkak të denoncimit për bombë. Për nesër, megjithatë thonë se çdo gjë mund të ndodhë.

“Nëse nuk marrim pagë, nesër nuk do të mund të kryejmë detyrat tona të punës. Tashmë përmbaruesit na janë në qafë. Fëmijët na kërkojnë para për të blerë ushqime, frigoriferët tanë janë bosh. Jemi të uritur”, thanë punonjësit e NTP-së.

Lidhur me protestën e paralajmëruar, sot para Qeverisë nga sindikata e NTP-së thonë se nuk e dinë se kush e organizon dhe shtojnë: “Për kë të protestojmë para Qeverisë. Punëtori nuk duhet të keqpërdoret, ne jemi në grevë për rrogë”.

Protestën e sotme e paralajmëroi sekretari i Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov.

Me kërkesë të grupit këshilldhënës të VMRO-DPMNE-së, për sot është caktuar seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Kërkesa e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së është që të ridrejtohen mjete nga buxheti i pagave për punëtorët e NTP-së “Shkup”, ndërsa sindikata e punëtorëve të NTP-së shpreson se në këtë seancë do të gjendet zgjidhje për pagesën e rrogave të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button