RMV, Qeveria obligoi Ministrinë e Financave të ndajë buxhet për promovimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në kuadër të shënimit të muajit tetor, në nivel botëror, si muaj kushtuar luftës kundër kancerit të gjirit mbajti mbledhje tematike kushtuar luftës kundër kancerit të gjirit në vend. Konkluzionet e arritura i referohen vendosjes së kontrollove të detyrueshme shëndetësore, si dhe ofrimit të skriningut mamografik mobil, transmeton Portalb.mk.

Qeveria njoftoi se është konkluaduar që të obligohet Ministria e Financave që në Buxhetin e vitit 2023 të parasheh mjete për promovimin e parandalimit në këtë fushë dhe përcaktimi i qëllimit specifik të mjeteve duhet të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Është obliguar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, gjatë ndryshimeve në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe në aktet nënligjore të ligjit, të parasheh një kontroll të detyrueshëm shëndetësor në kuadër të kontrolleve sistematike, me qëllim futjen e parandalimit në këtë fushë, si detyrim ligjor”, informoi Qeveria.

Në mbledhjen e Qeverisë morën pjesë përfaqësues nga Shoqata joqeveritare për Iniciativa për zhvillimin e shëndetit, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe përfaqësimin e pacientëve EZRA, të cilët theksuan se 90 për qind e të gjitha kancereve të gjirit mund të kurohen, domethënë se diagnostikimi në kohë dhe trajtimi i duhur, në pjesën më të madhe, shpëtojnë jetë.

Sot më heret Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga 1 nëntori do të ketë kontrolle falas për kancerin e gjirit, ndërsa paraqitja do të bëhet përmes ueb-faqes së posaçme

Në programin kombëtar të depistimit do të përfshihen gratë e moshës 45 deri në 69 vjeç, të cilat nuk kanë bërë mamografi në dy vitet e fundit, ndërsa gratë e moshës 40 deri në 44 vjeç, që kanë një anëtar të familjes me kancer gjiri dhe ose një faktor tjetër rreziku shtesë do të kenë mundësi që me vetë-iniciativë të paraqiten për skrining mamografi në një faqe të posaçme për atë qëllim.

Mamografia skrining është falas për gratë në program, participimi mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Gratë prej vitesh reagojnë për mungesën e termineve për mamografi dhe nga Ministria thonë se kanë filluar ndryshime në mënyrën e udhëzimit dhe paraqitjes së termineve për mamografi, eko dhe biopsi, ku do të mundësohet që në radiolog të udhëzohen gratë me qëllim që të zvogëlohet koha dhe rruga nga kontrolli në trajtim.

Sipas të dhënave të para dy viteve, në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button