Vazhdoi në Shkup gjykimi për vrasjen e hendbollistit kroat, Prokuroria shpalosi provat

Me paraqitjen e provave të propozuara nga Prokuroria sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot i cili u rrah për vdekje para një diskoteke në parkun e qytetit të Shkupit, raporton MIA. Janë paraqitur video materialet ku shihen ndodhitë para diskotekës natën fatale të 7 prillit në periudhën nga ora 3:25 deri në 3:45.

Më herët në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari Zdravko Teodorov i cili natën fatale ka lëshuar muzikë si di-xhej, ndërsa nga diskoteka ka dalë rreth orës 2:30.

Ai nuk e ka parë ngjarjen konkrete dhe për të njëjtën ka marrë vesh pas publikimit nëpër media, ndërsa gjatë mbrëmjes teksa ka lëshuar muzikë, dëshmitari tha se nuk ka parë ndonjë prishje të rendit dhe qetësisë publike edhe pse siç ka theksuar, nga vendi ku ka qëndruar ka pasur pamje të plotë të diskotekës.

I pyetur nëse gjatë mbrëmjes ka pasur sigurim, dëshmitari tha se nuk mund të thotë, duke përsëritur se nëse nuk do të kishte njerëz brenda mund që edhe sigurimi të ishte larguar.

Në pyetjen e të akuzuarit Anxhelo Gjorgievski se sa persona ka pasur në diskotekë, dëshmitari tha se mund të ketë pasur më pak se zakonisht, sepse ka qenë ditë pune.

Të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat para Këshillit Gjyqësor në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për veprën për të cilën ngarkohen.

Prokuroria Themelore Publike Shkup i ndjek të akuzuarit Anxhelo Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski për veprën penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit ngarkohen se më 7 prill, para një lokali nate në Parkun e qytetit në Shkup së bashku e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.

“Pas një zënke të shkurtër të tre i kanë shkaktuar shumë goditje dhe lëndime të rënda trupore nga të cilat tek i dëmtuari fillimisht është shkaktuar gjendje koma, ndërsa të nesërmen ka ndërruar jetë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë të publikuar më 21 korrik të këtij viti.

Procesin e udhëheq gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurorja Tanja Trajçevska.

Ndryshe, më 07.04.2022, Denis Tot ishte dërguar në Klinikën e Shkupit për reanimacion, anestezi dhe kujdes intensiv KARIL, pas një përleshjeje në diskotekën elitare shkupjane dhe klubin e natës “Privilege”. Ndonëse mediat raportuan se Tot është rrahur, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një komunikatë, në të cilën thuhet se Denis Totit nuk i janë shkaktuar lëndime, por se rasti po hetohet.

Nga ekspertiza dhe obduksioni që iu bë trupit të Totit pas vdekjes së tij nga ky institut, është thënë se në trupin e Totit është intervenuar me kohë, mirëpo shtypja e trurit dhe lëndimi i pjesës fillestare të shtyllës kurrizore ishin fatale.

Gjyqi për rastin e Denis Tot filloi me 5 shtator dhe rastin, ashtu siç kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, është duke e udhëhequr Elena Ilievska Josifoviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button