RMV-ja duhet t’i intensifikojë aktivitetet në drejtim të digjitalizimit, vlerësoi Komisioni Evropian

Maqedonia e Veriut ka rrugë të gjatë përpara saj për sa i përket transforimimit digjital. Ndonëse vendi ka bërë reforma në këtë drejtim, megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë. Kjo është konstatuar në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim. Portalb.mk më poshtë ju sjell një pasqyrë të asaj se çfarë thotë ky raport për sa i përket digjitalizimit.

Pjesa e digjitalizimit është e përfshirë në klasterin-grupin e tretë, konkretisht në kapitullin e dhjetë. Raporti thekson se në përgjithësi, Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e zonave të mbuluara nga ky grup. Megjithatë, nevojiten më shumë përpjekje, veçanërisht në fushat ku është bërë përparim i kufizuar, si transformimi digjital.

Në raport thuhet se është rritur lehtë numri i shërbimeve elektronike që ofrohen për qytetarët dhe bizneset.

Por, raporti thekson se rekomandimet e vitit të kaluar janë adresuar pjesërisht, andaj në vitin e ardhshëm vendi duhet të :

  • Finalizojë dhe miratojë strategjinë afatgjatë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit;
  • Të harmonizojë legjislacionin kombëtar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike;
  • Të vazhdojë përpjekjet për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit dhe kutinë e veglave 5G;

Raporti thekson se pandemia e Covid-19 tregoi se digjitalizimi i shërbimeve duhet të shkojë paralelisht me përpjekjet e shtuara për edukimin dhe lehtësimin e qasjes në këto teknologji për grupet e rrezikuara, të cilëve shpesh u mungojnë aftësitë digjitale.

Kështu që, theksohet se duhet të zhvillohet dhe miratohet strategjia për zhvillimin e aftësive digjitale dhe një kornizë referuese për shkrim-leximin digjital në të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i shkrim-leximit digjital është prioritet nën strategjinë e arsimit, për të siguruar transformimin digjital përmes një qasjeje ndërsektoriale.

“Shtrirja e shërbimeve digjitale të disponueshme në portalin kombëtar të shërbimeve elektronike me ndërveprim të plotë elektronik nuk është rritur shumë. Në përgjithësi, qasja e qeverisë për thjeshtimin e mjedisit të biznesit nuk është mjaftueshëm sistematike dhe konsistente. Portali kombëtar elektronik për shërbime është përmirësuar. Në vitin 2021, numri i përdoruesve dhe shërbimeve të regjistruara në e-portal u rrit pak, por duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm. Përdorimi i sistemit të ndërveprueshmërisë ende pengohet nga mungesa e softuerit të komunikimit në shumë institucione, si dhe nga mungesa e vullnetit për të shfrytëzuar plotësisht aftësitë e tij.”, thuhet në raport.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ka ende institucione që nuk kanë digjitalizuar regjistrat e tyre, gjë që pengon cilësinë e të dhënave administrative. Shkëmbimi i të dhënave administrative duhet të zgjerohet dhe thjeshtohet në mënyrë që të përdoret në mënyrë më të qëndrueshme në procesin e vendimmarrjes.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila është përgjegjëse për procesin, sipas raportit duhet të forcojë kapacitetin e saj për të kryer kontroll më efektiv dhe të qëndrueshëm të cilësisë.

“Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës duhet të forcojë kapacitetet e saj për të nxitur transformimin digjital. Shqetësimet mbeten për pavarësinë e rregullatorit për komunikimet elektronike. Ligji për Komunikimet Elektronike që duhet të harmonizohen më tej me acquis-in e BE-së. Rregullatori ka miratuar aktet nënligjore për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Komunikimet Elektronike, duke parashikuar përgjegjësi të reja për rregullatori në lidhje me miratimin paraprak të sigurisë për instalimin e pajisjeve 5G nga operatorët e telekomit.”, nënvizon raporti.

Raporti vë në dukje se Projektligji për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative ende nuk është miratuar.

“Maqedonia e Veriut ende nuk e ka përafruar legjislacionin kombëtar me Rregulloren e BE-së për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besimit për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm (Rregullorja eIDAS). Sa i përket transformimit digjital, strategjia afatgjatë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (2021-2026) ende nuk është miratuar”, vlerëson raporti.

Për të modernizuar dhe digjitalizuar sektorin publik, nevojiten ende më shumë përpjekje dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve. Cilësia e të dhënave në regjistrin e popullsisë duhet të përmirësohet dhe të verifikohet vazhdimisht me regjistrat e tjerë.

Sipas raportit, përafrimi i mëtejshëm është i nevojshëm me acquis-in e BE-së 2019 për përdorimin e mjeteve digjitale.

“Gjatë periudhës së raportimit , Maqedonia e Veriut vazhdoi të marrë pjesë me sukses në Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe zbatoi plotësisht Marrëveshjen Rajonale për Roaming, duke përfituar nga zona rajonale pa roaming që nga korriku 2021. Zbatimi i planit kombëtar operacional të brezit të gjerë 2019-2023 ishte vonuar më tej. Zbatimi i strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike 2018-2022 u përshpejtua dhe numri evropian i urgjencës 112 u prezantua zyrtarisht në vend”, thuhet në raport.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, theksohet se komunikimi ndërmjet shërbimeve të urgjencës nuk është ende adekuat dhe burimet njerëzore nuk janë ende të mjaftueshme.

Raporti thekson se Këshilli për Digjitalizimin në Gjyqësor intensifikoi punën për zbatimin e strategjisë së IT-së. Pesë gjykata pilot morën pajisje IT të ofruara nga donatorë të huaj. Rekrutimi i stafit shtesë të IT- së varet nga ofrimi i kushteve të punës që janë konkurruese me ato në sektorin privat.

Digjitalizimi i ekonomisë sipas raportit po përparon, por konkurrenca e bizneseve vendase mund të përmirësohet përmes një oferte më të gjerë të shërbimeve publike elektronike. .

“Për sa i përket tregtisë elektronike, Banka Kombëtare raportoi rritje prej 61% të transaksioneve në internet nga qytetarët në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. Për sa i përket performancës statistikore dhe konkurrencës digjitale, mbledhja e të dhënave bazuar në treguesit e Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (DESI) është vlerësuar të jetë i disponueshëm dhe i përafruar plotësisht në 87 %”, vlerëson raporti.

Raporti përfundon se ndihma e vazhdueshme e BE-së avancoi transformimin digjital të vendit, duke vendosur pothuajse 70 shërbimet e para publike plotësisht të automatizuara elektronike për qytetarët dhe bizneset dhe vazhdon të mbështesë reformat në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike dhe financave publike. Ndërsa në vitin e ardhshëm, vendi duhet: të përshpejtojë reformat në fushat lidhjeve digjitale.

Ndryshe, Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Së fundmi, Portalb.mk realizoi edhe një intervistë me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, të cilën mund ta ndiqni dhe lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button