Kaos me linjën 19-të, për një orë nuk kanë qarkulluar 7 autobusë: Qyteti i Shkupit s’u ka paguar mjete transportuesve prej muajit gusht

Autobusët privat të linjës 19, të cilët qarkullojnë në kuadër të Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) sot në mëngjes nuk kanë qarkulluar, sipas orarit të paraparë. Dhjetëra qytetarë janë detyruar që të ecin me kilometra për të kapur linja tjera, ndërkaq të tjerët janë obliguar që të kthehen në shtëpi. Nga kompania transportuese “MAKEKSPRESS”, thonë që Qyteti i Shkupit nuk ua ka paguar mjetet e parashikuara prej muajit gusht, shkruan Portalb.mk.

Dikush sot nuk mundi të shkojë në punë, shkollë, mjek apo të kryej obligime të caktuara, pasi shoferët e linjës 19-të, e cila qarkullon prej Shutkës nëpërmjet Çairit dhe deri në Karposh, sot nuk erdhën në kohë.

Kaosin e vërtetë e fotografoi sot objektivi i gazetarit të Portalbit, i cili, gjithashtu sot duhej të shkojë në zyrë për t’i kryer obligimet e përditshme, por u pamundësua nga mosfunksionimi i kësaj linje, e cila nuk është hera e parë që nuk e respekton orarin përcaktuar.

Orari i autobusit 19
Orari i autobusit 19, foto ueb-faqja e NTP-së

Prej 08:30 deri në 09:30 nuk kanë qarkulluar 7 autobusë, gjegjësisht në oraret 08:35, 08:43, 08:50, 08:58, 09:05, 09:15, 09:25.

Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022
Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022

“Edhe unë jam duke pritur, ja një orë nuk ka ardhur ende. Vetëm te ne ndodh kjo papërgjegjësi”, i tha gazetarit të Portalb.mk, një qytetar i revoltuar cili ishte duke e pritur autobusin.

Autobusi që duhej të vinte në orën 8.30, erdhi në orën 9 e 37 minuta. Pamja që mund ta shihni më poshtë është kaotike e aq më tepër e rrezikshme, në kohën e gripit sezonal e kur COVID-19-të ende nuk është larguar tërësisht. Shumica e qytetarëve që e pritën një orë, u pamundësuan sërish që të ngjiten, duke e pasur parasysh rrëmujën e madhe ku s’kishte vend as për “gjilpërën”.

Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022
Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022

Sipas dëshmisë së një qytetari, i cili gjithashtu udhëton çdo ditë në punë me të njëjtën linjë, sot, autobusi nuk ka kaluar edhe në oraret prej prej 8.05 deri në 8.25, kur do të duhej të kishin kaluar 3 autobusë.

“Prita prej orës 8:05 deri në orën 8 e 25, nuk erdhi autobusi dhe hipa në autobusin me numër 9. Derisa autobusi ktheu në rrethrrotullimin në Fushë Topanë e pash që nga drejtimi prej Shutkës, ende nuk vinte 19-ta. Edhe në linjën 9 u bë rrëmujë, pasi që gjysma e atyre që prisnin 19-të, erdhën me mua te linja 9”, deklaroi për Portalb.mk, Sasho, një banor i Çairit.

Portalb.mk kontaktoi me kompaninë “MAKEKSPRES” e cila e menaxhon këtë linjë, por ata thonë se nuk kanë informata se autobusët e tyre sot në mëngjes nuk kanë qarkulluar.

“Nuk kemi informacion që nuk kanë qarkulluar autobusët, i pyeta dhe kolegët që e kontrollojnë sistemin edhe ata s’më dhanë informatë të tillë”, thonë nga “MAKEKSPRES”.

Të pyetur nëse Qyteti i Shkupit ua ka lëshuar mjetet e nevojshme pronarëve të autobusëve, prej kompanisë thonë që ata nuk kanë marrë para prej fillimit të muajit gusht.

“Është e mundshme kjo të jetë arsyeja kryesore që të mos vozisin pasi që financiarisht janë në gjendje të pakapërcyeshme. Ata vetë i kanë financuar shpenzimet, por ka një kufij. Duhet ta financojnë servisimin e autobusit, kontributeve, paga, gjithçka është rritur – thjeshtë pasi nuk ka para, asgjë e çuditshme që ajo të jetë arsyeja kryesore”, thonë nga Portalb.mk.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmuan për Portalb.mk se sot në Çair ka pasur kontroll, sipas planit të kontrolleve të autobusëve që transportojnë nxënës dhe 2 prej autobusëve janë dërguar në kontrolle teknike shtesë.

“Sektori për Siguri në Komunikacion i SPB Shkup sot në zonën e Stacionit Policor Çair ka kryer kontrolle të autobusëve sipas planit për kontrollim të transportuesve të nxënësve, gjatë së cilës 2 autobusë janë dërguar në kontroll teknik shtesë”, deklaruan për Portalb.mk nga MPB.

Portalb.mk, dërgoi pyetje deri te Qyteti i Shkupit, por edhe te Ndërmarrja e Transportit Publik, por deri në publikimin e tekstit, ata heshtin.

Në ndërkohë, sot vozitësit e NTP-së, u kërcënuan se nuk do të vozisin nëse nuk u paguhen pagat. Nga NTP thanë se problemi me vonesën e pagave është pasi që pushteti qendror dhe disa komuna nuk kanë paguar për transport të organizuar për disa kategori të qytetarëve. Ky do të ishte problem shtesë për qytetarët që udhëtojnë me linjën 19-të, pavarësisht se shumica e autobusëve qarkullojnë në kuadër të “MAKEKSPRESIT”, një kompani private e cila ka marrëveshje me NTP-në.

Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022
Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022

Ndryshe, prej vitit 2016-të, autobusët privat qarkullojnë në kuadër të NTP-së. Sipas vendimit të atëhershëm të Këshillit të Qytetit të Shkupit, atyre u paguhet 61 denarë për 1 kilometër të kaluar. “MAKEKSPRES” menaxhon me 5 linja të autobusëve që kryejnë transport publik, gjegjësisht 19, 20, 22, 52 dhe 54.

Në maj të këtij viti, Portalb.mk alarmoi se për shkak të mospagesës së mjeteve financiare nga Qyteti i Shkupit, shoferët e linjës 19-të dhe 20 pa paralajmëruar kanë ndërprerë qarkullimin e linjës. Me këtë u krijua kaos pasi që tërë Komuna e Shuto Orizares mbeti pa transport publik dhe një pjesë e Komunës së Çairit.

Pas shkrimeve të Portalb.mk, përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit u takuan mepërfaqësuesit e kompanisë private “MAKEKSPRES” dhe deklaruan që janë marrë vesh që Qyteti t’ua paguajë 60% të borxhit dhe me këtë do të normalizohet linja.

“Problemi me linjat 19 dhe 20 nga ana e Qytetit të Shkupit me transportuesit privat është tejkaluar. Në marrëveshje me kompaninë prej nesër linjat do të qarkullojnë sipas orarit të rregullt. Qyteti i Shkupit për një javë transportuesit privat do t’i kompensojë mjete në vlerë prej 8 milionë denarë, a gjatë ditëve në vijim do t’i paguhet afër çereku nga borxhi i trashëguar që Qyteti i Shkupit e ka ndaj transportuesit privat. Shpresojmë që shqetësime të tilla në lidhje me transportin publik dhe shkyçja e sërishme e linjave nga ana e transportuesve privat nuk do të ndodh, pasi që e njëjta është në dëm të qytetarëve”, thanë për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit më 12 maj.

Por, problemi ende nuk është zgjidhur, autobusët e linjës 19-të vazhdojnë të mos e respektojnë orarin.

Autobusë falas për të gjithë qytetarët” – ishte kyeprojekti i Arsovskës, të cilin e premtoi gjatë fushatës zgjedhore, por një vjet pasi i ftoi zgjedhjet, sot qytetarët të cilët udhëtojnë me linjën 19-të nuk kanë mundësi të udhëtojnë, as me para.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button