Kodra e Diellit: Nuk ka përfunduar në afatin e dhënë nga Kovaçevski ndarja e Elem Turs nga Elem, MMJPH: Ka investitor të huaj të interesuar

Nuk ka përfunduar ende ndarja e kompanisë e cila menaxhon Kodrën e Diellit, Elem Turs nga Elem në afatin kohor (muaji shtator), të cilin deklaroi drejtori i Elektranave të Maqedonisë (ELEM), Vasko Kovaçevski. Ky proces ka filluar  gati dy vite. E ardhmja e kësaj qendre turistike do të dihet më saktë kur do të kryhet ky proces dhe pastaj të vendoset nëse do të investojë vetë kompania e cila e menaxhon (Elem Turs), do të shkojë me partneritet publiko-privat, apo do të shitet. Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tregon se po zhvillohen negociata me investitorë të mundshëm për këtë qendër turistike. Portalb.mk mëson se bëhet fjalë për investitor nga Italia.

Tani për tani, pa përfunduar procedura e ndarjes së Elem Turs nga ELEM nuk mund të thuhet se cila do jetë e ardhmja e këtij destinacioni turistik.

Kjo ndarje sipas drjtorit të elektranave të Maqedonisë së Veriut (ELEM) pritej të përfundonte muajin e kaluar, por nuk është bërë deri më tani.

Pyetëm në ELEM se përse nuk është bërë e njëjta deri më tani dhe kur do të përfundojë, nga atje arsyetohen se procesi ka hasur në pengesa.

“Procedura për ndarjen dhe ndarjen e ELEM TOURS DOOEL-Shkup, e cila ishte paralajmëruar të përfundojë deri në fund të shtatorit 2022, ende nuk është zbatuar plotësisht, për faktin se ka hasur në pengesa procedurale të shkaktuara nga lëshime të caktuara në 2012, pra gjatë periudhës së bashkimit të “Molika” dhe “Kodra e Diellit“. Aktualisht jemi duke punuar në heqjen e barrierave ndaj tenderit dhe publiku do të njoftohet për rezultatin përfundimtar në kohën e duhur”, thanë nga ELEM.

Për atë se cili do të jetë fati i Kodrës së Diellit, nga ELEM thonë se një vendim i tillë ende nuk është marrë, dhe se ELEM TOURS DOOEL-Shkup vazhdon të menaxhojë Kodrën e Diellit.

Nga ana tjetër, drejtori i Elem Tursit- Adem Avziu për Portalb.mk tregon se ky proces i ndarjes nuk ka përfunduar si i rrjedhojë e disa pengesave administrative në Regjistrin Qendror të RMV-së.

“Pas rishikimit të plotë të dokumentacionit për çështjen e pronave, gjetjen e dokumentacioneve si dhe regjistrimin/kompletimin e të njëjtave në Kadastër, si fazë e dyte vijonte regjistrimi në Regjistrin Qendror. Ky proces fatkeqësisht nuk kishte mundësi të realizohet për shkak të mospërputhjes së të dhënave nga regjistrimet e mëparshme, duke pasur parasysh se patundshmëria në të kaluarën ka qenë e regjistruar në disa Institucione (kompani të tjera shtetërore), kështu që gjatë procesit të kompletimit të dokumentacionit janë gjetur edhe disa parcela/fletë-pronësi të cilat në të kaluarën nuk kanë qenë të evidentuara Për këtë arsye, SHA EMV Shkup ka miratuar vendimin që të themelojë dy ndërmarrje të reja me të cilat do të realizohet ndarja dhe bartja e pronës/patundshmërisë, në mënyrë që mos të humbet akoma më shumë kohë”, sqaroi Avziu.

Ndërkaq për Kodrën e Diellit ai theksoi se është formuar një grup pune nga ana e Qeverisë dhe i njëjti është duke punuar në mënyrë aktive për gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë.

“Respektivisht, aktualisht janë duke vijuar të dy proceset paralelisht, për sa i përket ndarjes dhe zhvillimit të Kodrës së Diellit”, tha Avziu.

Qeveria e vendit, edhe pse njoftoi se do të prononcohet për Portalb.mk për këtë rast, të njëjtën nuk e bënë.

Kur jemi te zhvillimi i Kodrës së Diellit, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPJ), Naser Nuredini së fundmi tha se ka investitor potencial për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe me të autoritetet qendrore janë në negociata, për detaje më të hollësishme pyetëm në MMJPH, por nga atje nuk tregojnë emrin e investitorit apo shtetin nga i cili është.

Por, Portalb.mk mëson se bëhet fjalë për investitorë italianë dhe se më tepër detaje pritet të bëhen publike gjatë muajit nëntor-dhjetor.

 “Po, është e vërtetë që negociatat tashmë janë duke u zhvilluar me investitorë të mundshëm. Një kompani e njohur ndërkombëtare nga një shtet anëtar i BE-së është e interesuar të investojë në zhvillimin e Kodrës së Diellit. Ekspertët e saj tashmë e kanë vizituar vendin, dhe nga ana jonë janë bërë negociatat fillestare dhe janë kërkuar zgjidhjet e duhura të propozuara dhe dokumentacioni përkatës në përputhje me Ligjin për Investime Strategjike”, thanë nga MMJPH.

Qëllimi i kësaj sipas Ministrisë është të sigurohet zhvillimi i Kodrës së Diellit në rangun e qendrave të rinovuara botërore të skijimit sepse i ka parakushtet e nevojshme natyrore dhe në të njëjtën kohë të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të vlerave natyrore.

“Më shumë informacion do të ndahet me publikun sapo të marrim një ofertë të pranueshme me aktivitete të përcaktuara në mënyrë specifike”, përfunduan nga MMJPH.

Për ofertat e investimeve së stërpërmedura në Kodrën e Diellit ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi disa herë ka përmendur të njëjtat, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.

Muajin gusht për Portalb.mk ai u shpreh se ka interes për investitorë të jashtëm në këtë qendër turistike. Mirëpo, siç theksoi Bekteshi kur të ketë investitorë të përshtatshëmpërpara se të nënshkruhet çdo lloj marrëveshje, ajo do të ndahet së pari me qytetarë dhe do të bëhet debat publik për të njëjtën.

Kujtojmë që ish-kryeministri Zoran Zaev i cili bëri të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit” ku parashihej dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button