SHBA me paketë të re të ndihmave për Ukrainën

Një paketë e re ndihme ushtarake prej 725 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën pritet të përfshijë municione dhe automjete ushtarake, por jo aftësi të reja të konsiderueshme ose mbrojtje kundërajrore, i thanë agjencisë Reuters të premten dy zyrtarë amerikanë të informuar mbi ndihmën, raporton VOA.

Paketa është e para që nga breshëria e sulmeve me raketa që Rusia lëshoi mbi qendrat e popullsisë civile në Ukrainë këtë javë. Ndihma e fundit do ta çonte në më shumë se 17.5 miliardë dollarë shifrën e përgjithshme të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara që kur Rusia filloi agresionin nga Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Sekretarit të Shtetit “të udhëzonte tërheqjen deri në 725 milionë dollarë në artikuj dhe shërbime të mbrojtjes të Departamentit të Mbrojtjes, si dhe në drejtim të trajnimit ushtarak” për të ndihmuar Ukrainën.

Një nga zyrtarët tha se ndërsa paketa e ndihmës nuk pritej të përfshinte materiale për të zmbrapsur sulmet me raketa, ajo synonte forcimin e aftësive të Ukrainës për të mposhtur Rusinë në kundërofensivën që ka shënuar përparime të mëdha në terren javët e fundit.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksiy Reznikov tha të premten se vendi i tij kërkon nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania këtë muaj sisteme të sofistikuara kundërajrore për ta ndihmuar atë t’u bëjë ballë sulmeve nga raketat ruse dhe dronët kamikaze.

Paketa e fundit është e dyta nga qeveria amerikane në vitin fiskal 2023, nën një autoritet që nuk ka nevojë për miratimin nga Kongresi dhe mund të dërgohet me shpejtësi në rast urgjenve. Kjo e lejon presidentin Biden të përdorë deri në 3.7 miliardë dollarë armë për transferim në Ukrainë deri në mes të dhjetorit.

Në përgjithësi, për të financuar armët për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e sofistikuara kundërajrore NASAMS që priten këtë muaj, Uashingtoni përdor fondet nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës duke blerë armë nga industritë e armëve, në vend që t’i tërheqë ato nga rezervat ekzistuese të SHBA-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button