Qeveria e shkarkoi udhëheqësinë e cila i la punëtorët pa rroga, ndërsa fabrikën e zhyti në borxhe

Qeveria në seancën e sotme të 90-të i shkarkoi drejtorin dhe anëtarët e Këshillit mbikëqyrës të fabrikës për automjete hekurudhore “Veles”, SHPKNJP– Veles, e njohur si Kolska, raporton MIA. Siç informojnë nga pres-shërbimi qeveritar, në seancë është konstatuar se udhëheqësia e fabrikës ka treguar rezultate negative financiare në punë edhe krahas asaj që në këtë subjekt është ndarë mbështetje financiare nga ana e Qeverisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pasdite në konferencë për shtyp në Qeveri kumtoi se për shkak të mosdhënies së rezultateve ka kërkuar që drejtori dhe ekipi menaxhues i fabrikës të shkarkohen.

“Si Qeveri në periudhën e fundit kemi ndarë 35 milionë denarë për këtë ndërmarrje publike. Mjetet financiare janë shpenzuar, punëtorët nuk kanë pagë. Kur i kemi parë raportet se a është ulur borxhi në periudhën e kaluar, nëse është rritur prodhimi dhe shërbimi që ata ofrojnë, nëse janë ulur kostot, kemi parë që nuk janë ulur. Dhe për këtë i propozova Qeverisë që menjëherë të shkarkohet drejtori dhe i gjithë ekipi drejtues, bordi mbikëqyrës dhe drejtues. Duke pasur parasysh se e kam lënë seancën e Qeverisë për ta mbajtur këtë konferencë për media, nëse ajo përfundon, supozoj se janë shkarkuar dhe se do të ketë ekip të ri menaxhues”, tha Kovaçevski.

Të punësuarit nga “Kolska” sot protestuan para Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për problemet e tyre. Dje ata dy orë e bllokuan edhe komunikacionin rrugor dhe hekurudhor në stacionin hekurudhor në Veles. Llogaria e “Kolska”-s është bllokuar për shkak të borxhit të papaguar prej rreth 650 mijë euro të bërë në periudhën e vitit 2013-2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button