Raporti i KE-së për Kosovën me kritika për menaxhim të dobët të agjendës legjislative

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, Raportin e Progresit për vitin 2022 të përpiluar nga Komisioni Evropian (KE), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kryeministri Kurti tha se raporti njeh përparimet e bëra nga Qeveria që ai e drejton.

Kurti tha se Kosova ka shënuar progres në shumë fusha gjatë vitit të fundit pavarësisht krizave dhe se raporti “përgëzoi Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”.

Kurti tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe qeverisja pa skandale, e kanë ngritur Kosovën në raportet ndërkombëtare.

“Kemi rritur luftën kundër krimit dhe korrupsionit e cila deri më tani ka rezultuar me më shumë se 780 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit me më shumë se 2 mijë e 200 persona të arrestuar, prej të cilëve afër 300 zyrtarë shtetërorë dhe 68 grupe kriminale janë shkatërruar”, theksoi Kurti.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Szunyog, tha se baza e progresit është në duar të Kosovës.

Szunyog vlerësoi të arriturat e Kosovës për periudhën njëvjeçare, mirëpo tha se shteti ka përpara edhe sfida. Sipas tij, ekziston nevoja për përmirësimin e kornizës së përgjithshme ligjore.

“Reforma në drejtësi duhet të adresuar, para së gjithash, duke përmirësuar implementimin e mjeteve ekzistuese për të ruajtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”, theksoi Szunyog.

Tutje Szunyog tha se sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kosova gjatë kësaj periudhe raportuese ka bërë njëfarë progresi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit.

Raporti i KE-së për vitin 2022 për Kosovën ndër të tjera ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa ka vlerësuar se në dialogun me Serbinë duhet të tregohet më shumë konstruktivitet dhe se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.

Raportin e KE-së për Kosovën për vitin 2022 e ka Szunyog ja ka dorëzuar edhe presidentes Vjosa Osmani.

Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE si prioritet shtetëror. Në këtë drejtim, presidentja Osmani në takim me Szunyog ka përmendur hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button