Pendarovski e mori raportin e KE-së për RMV-në: Është udhërrëfyes për institucionet

Presidenti Stevo Pendarovski sot e ka pranuar shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, ambasadorin Dejvid Gir, i cili ia ka dorëzuar Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022, njofton Portalb.mk.

Në takim, sipas kumtesës së Presidencës, Pendarovski ka theksuar se raporti vjetor ka rëndësi të veçantë, pasi që është i pari pas fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian dhe fillimit të procesit të skriningut.

“Presidenti Pendarovski vlerësoi se raporti jep fotografi të detajuar për gjendjet në shoqëri, por paraqet edhe udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme të institucioneve dhe fushave në të cilat do të duhet të përkushtohet më shumë kujdes”, thonë nga Presidenca.

Procesi i anëtarësimit, sipas presidenti Pendarovski, kërkon që të gjitha kapacitetet të orientohen drejt realizimit të reformave të nevojshme dhe në këtë kontekst theksoi nevojën që të gjithë aktorët në shoqëri duhet të japin kontribut në këtë proces.

Presidenti Pendarovski porositi se hapja e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut është mundësi e mirë që Bashkimi Evropian ta tregojë përkushtimin drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përgjigje më e mirë ndaj rritjes së euroskepticizmit në rajon.

Ndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i solli Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button