Tragjikomedia e testimit ekstern

Ka kaluar goxha kohë që nga shkrimi im i fundit lidhur me përdhosjen e gjuhës shqipe nga subjekte të ndryshëm në vendin tonë. Arsyeja për këtë është se përnjëherë m’u krijua përshtypja që këtu, në këtë vend, qenka e kotë të shkruash, se askush s’të lexon, bile edhe ata që të lexojnë tentojnë të gjejnë qime në ve, lëre më të ndërmarrësh ndonjë veprim më të madh se ky, si p.sh. të dalësh e të rebelohesh për të kërkuar diçka që natyrshëm të takon, sepse atëherë mund t’i trazosh vrerin dikujt, nëse e kanë…

Si do që të jetë, janë disa faktorë që më bënë të rinis me shkrimet e mia: i pari është testimi ekstern, që ka bërë bujë gjithandej, dhe i dyti – shkrimi i koleges së respektuar, Elida Zylbearit që më bëri të këndellem sërish dhe të mos rri i HESHTUR përpara krimit, hipokrizisë, injorancës dhe neglizhencës që kanë kaluar çdo kufi, edhe ata që nuk mund t’i imagjinojë një tru i shëndoshë njeriu.

Duke qenë (in)direkt i përfshirë në euforinë e testimit ekstern – me fëmijë në shkollë, me kolegë dhe të afërm të punësuar në shkolla fillore dhe të mesme, kam pasur “nderin” të njihem për së afërmi me “margaritarët” e testimit ekstern në lëndë të ndryshme, por duke qenë se profesionalisht i përkas lëmit të gjuhësisë, do të ndalem vetëm te pjesa e gjuhës angleze, pse jo edhe asaj shqipe.

Është goxha e vështirë t’i radhitësh problemet e hasura në këto farë pyetjesh, që gjoja paskan për qëllim testimin objektiv të njohurive të nxënësve, ndërkohë që vetë ato, pyetjet pra, vetëm sa e rrisin nivelin e hutisë, stresit, nervozës dhe averzionit edhe te nxënësit po edhe te arsimtarët e tyre, të cilët sikur i kishin pak ditarët dhe testet që tradicionalisht i kanë përdorur (në letër), pa ndonjë problem më të madh (përveç rasteve kur nxënës të papërgjegjshëm për shkak të bëmave të tyre kriminale dhe suksesit të dështuar vendosin t’i vjedhin ditarët nga shkollat dhe më pas të njëjtët t’i asgjësojnë), tani duhet të plotësojnë edhe ditarët elektronikë dhe të mbanë gajlen e testimin ekstern duke menduar se çfarë rezultatesh do të arrijnë nxënësit e tyre në to (nga testimi i vjetshëm u pa se shpesh ato farë rezultatesh as për së afërmi nuk përkonin me gjendjen faktike). Kur t’i shtoni kësaj edhe gjendjen e mjerueshme të shkollave dhe pagat qesharake të mësimdhënësve, gjithçka bëhet e qartë si loti, apo jo???

T’i kthehem esencës së testimit ekstern nga gjuha angleze. Duke pasur përvojë më tepër se dhjetëvjeçare në mësimdhënien e gjuhës angleze, fort mirë mundem ta ndaj shapin prej sheqerit. Së këndejmi, lirisht mundem të them që pyetjet e testimit ekstern nga lënda e gjuhës angleze (për shkollat fillore) – këto i kam pasur në dorë vetë – nuk i plotësojnë as standardet minimale për të qenë pjesë e një projekti gjigant qeveritar që mëton në mënyrë objektive të testojë njohuritë e fituara në lëndët përkatëse nga ana e nxënësve si dhe të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies e mësimnxënies nëpër shkolla. Këto pyetje janë pjesë e një mega-antivlere që po tenton me ngulm të instalohet në shkollat tona (nuk e di si qëndron puna me pyetjet në gjuhën maqedonase mbasi nuk kam pasur mundësinë po as edhe kam shprehur interes t’i analizoj të njëjtat)!

Të bëhem më konkret: e para, formati i testit: Titulli i testit është në maqedonisht, pyetja në një shqipe të bastarduar, ndërsa opsionet (që unë nuk mundem t’i shoh) – në anglisht.

-

E dyta, ka shumë pyetje të cilave as edhe mendjet më të ndritura të planetit nuk do të mund t’ua gjenin përgjigjen. P.sh.

-

Veç mungesës së logjikës, këtu ka gabim vetë fjalia në gjuhën angleze, që d.m.th. se para very duhet të shtohet nyja e pashquar a si dhe pika në fund të fjalisë.

-

Përemri vetor i vetës së dytë njëjës, në gjuhën shqipe, është ti (pa apostrof).

Le të mundohemi ta deshifrojmë fjalinë e mëposhtme:

Untitled4

Kushtojini vëmendje pyetjes në gjuhën shqipe:-

Tani, më tregoni të nderuar, se si preket e shëmtuara???!!! Lexojeni me kujdes pyetjen në gjuhën shqipe.

-

Ose, e dimë vallë dallimin ndërmjet bar edhe barrë?

-

Ose:

-

Do ta përmbyll pjesën e testimit ekstern nga gjuha angleze me tekstin dhe pyetjen në vijim:

-

T’ua them personalisht, edhe pse nuk merrem shumë me filma, kam hasur filma AKSION, KOMEDI, DRAMË, HORROR, etj., por ama film AKSIONAR – këtë e shoh vetëm te pyetjet e testit ekstern nga gjuha angleze.

Më lejoni tani të ndalem pak edhe te pyetjet e gjuhës shqipe si gjuhë amtare e fëmijëve respektivisht nxënësve tanë të dashur.

Analizoni me kujdes pjesën në vijim:

-

Sqarimi se për kë është plani mësimor është në gjuhën maqedonase, lënda po ashtu, reshti me numrin e pyetjes, dhe pastaj vijon pyetja E PARË e testit në gjuhën shqipe me gabim drejtshkrimor (a të shtypit, që prapëseprapë është e patolerueshme). Shiheni fjalën e fundit te pyetja!

Fjala e tretë në fjalinë e mëposhtme duhet të jetë bashkëtingëllore, sipas fjalorit drejtshkrimor të gjuhës së sotme shqipe. Vëreni si është shkruar ajo në pyetjen e testit ekstern nga gjuha shqipe:

-

Ja edhe një tjetër:

-

Edhe pse e huaj, fjala mysafir është futur në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe si e tillë, por jo si më poshtë:

-

Në fund, të nderuar lexues, s’më mbetet gjë tjetër përpos ta përmbyll me fjalët e urta popullore:

Kur falet e liga, dënohet e mira. (Jugu i Shqipërisë), Respektivisht,

Ik sevap se të xu gjynahi! (Shkodër)

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button