Heshtja e hipokritëve

“Jetët tona marrin fund në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme” ka thënë Martin Luther King. Thënia e tij po më rrotullohet në kokë kur shoh këtë që ndodh me shqiptarët e Maqedonisë. Ne vërtetë kemi vdekur! Gumëzhin  aq fuqishëm heshtja e shqiptarëve sa që të çan shpirtin. Nga se? Nga frika, nga egoizmi, nga injoranca dhe hipokrizia.

Dita ditës dëgjoj nga familjarët, shokët dhe kolegët se sa të pakënaqur janë me gjendjen në të cilën jetojnë. Dëgjoj nëpër kafene e në biseda private se gjërat duhet të përmirësohen dhe ne më në fund të përparojmë. E kur i lut këtë pakënaqësi ta shprehin në publik, të japin ndonjë deklaratë dhe ta thonë troç pakënaqësinë, zhduken nëpër biruca minjsh. E kthen kokën dhe sheh që ke mbetur vetëm, në luftën për ideale..nëse mund ta quajmë ideal kërkesën e vetme për një jetë më të mirë, për kushte elementare më të mira. Asgjë më tepër. Mos të nis e të shkruaj për gjërat më të mëdha se sa rrugë të pastra, shkolla të ngrohta e spitale të denja që na duhen. Kërkesa elementare që te ne quhen “të çmendura” dhe kërkesa për “të drejtuar brirët e dashit”.

Problem më i madh është egoja e lënduar e personave që për shkak se njohin dikë kanë ardhur në pozita të ndryshme se sa problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët. Nëse si gazetar hulumton një dukuri, do të kesh probleme me personin udhëheqës në atë të ashtuquajtur institucion, dhe atë për një arsye të vetme, kemi rrënuar  pasqyrën e “të pagabueshmit” që ai/ajo me ngulm tentojnë ta pasqyrojnë te popullata , edhe pse popullata i njeh mirë ‘kapacitetet’ por nuk guxon tua thotë në fytyrë se kush janë.

Nuk e di çfarë më mllefos më shumë, udhëheqësit tanë që mbahen të pagabueshëm dhe me presione dhe frikë mundohen ti mbulojnë paaftësitë e tyre, apo popullata që nuk ndërmerr as një hap për ta ndryshuar këtë gjendje?

Në secilën sferë të jetës ne ballafaqohemi me probleme, dhe kush guxoi të flet për ta është fajtori kujdestar. Është ai që flijohet për një të vërtetë publike. Shikoni shkollat tona në çfarë kushtesh mësohet, më gjeni një banjo e cila nuk kundërmon e mbush shkollën me erë pisllëku?! E mos të flasim për procesin arsimor, si punësohen ushtarët partiak apo si falen notat e “djalit/vajzës të filanit fistekut” i/e cili nesër do ta mësojë, më falni, do ta prish në kokë dhe fëmiun tuaj! Dhe më tej, kur pyet për tragjedinë që na ndodh para syve, të gjithë heshtin. Në biseda private të tregojnë mijëra probleme, bëhen viktima, ndërkaq kur thua: e mirë eja të reagojmë  atëherë ndodh ndryshimi dhe hipokrizia. ”Po jo, more se ne çdoherë kemi qenë kështu s’ke çka i bën…” të thonë.
E ku mbeti shëndetësia e biznesi apo ekologjia? Në vend që udhëheqësit tanë ti përmirësojnë gabimet, në vend që të punojnë për atë “të mirë të popullit” që na çajnë veshin gjatë fushatave, ata i vërsulen popullit, e frikësojnë atë deri në palcë: Hesht ose të dogja, të nxora nga puna apo ta sulmoj familjen..! Turp! Si nuk ju bren ndërgjegjja?

E tha mirë presidenti jonë gjoja i papranueshëm për shqiptarët (me që ra fjala, e konteston më dikush apo thjeshtë kaloi si gjitha të tjerat?) ne jemi “kosmodisk” vend. E dini atë kabllon e bardhë që lakohet dhe ndihmon dhimbjet e kurrizit të quajtur ’kosmodisk’? Nëse jo, s’ka gjë, e kam për mënyrën si një person lakohet. E kam për pakurrizorët tonë, që të mbytën duke shitur mend dhe më pas fshijnë ligat e llomotitjes dhe thonë hajt se bëhet mirë. Por si nuk ju vjen turp ta pranoni këtë realitet? Si nuk ju vjen rendë para fëmijëve ti leni ata të katandisen në këto kushte e këtë mënyrë duke druajtur për një ndryshim të vetëm? Po, e di. Është më lehtë linja e rezistencës së pakët, është më mirë të ulësh kokën se sa të luftosh. E atëherë mos thoni se nuk jemi mirë. Atëherë heshtni! Qepeni! Dhe kur do të ju ndodh juve padrejtësia, të gjithë tjerët do të heshtim ndërsa ju përjetoni ferrin që dikush para juve sapo e kaloi.

Mirë flet Zeqirija Ibrahimi në kolumnën e tij në gazetën Koha, kur e analizon derexhen në të cilën është sot një intelektual ose një njeri që dëshiron të mendojë me kokën e tij dhe për këtë të shprehet publikisht.

Njëkohësisht pajtohem edhe me studenten Blerona Jakupi e cila thotë se është në dukje,kjo shoqëri që po ndërtohet me antivlera si orteku i borës ka për tu rrokullisur drejt humnerës së asgjësimit të virtyteve njerëzore,normave etike e morale’-ky është përfundimi i pikënisjes së rendit të ri që ka zbarkuar dhe është tragjike të mendosh që ka për të ngelur si cikatriks i pazhdukshëm në njerëzimin.

E në fund një thënie tjerët shumë të qartë nga libri i shenjtë Kurani “Zoti nuk ia ndryshon gjendjen një populli përderisa ai nuk e ndryshon atë vetë”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ishte nje shkrim i denje per disa njerez te padenje! Te pergezoj znj. Elida qe na ofroni gjerat me konkretisht!

Back to top button