ASH: Konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël në RMV paguajnë çmime më të larta të rrymës në rajon

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet kumtesës reagon se masat antikrizë të paraqitura e të prezantuara gjatë seancës së 88 -të të kabinetit qeveritar janë farsë dhe dështimi total, njofton Portalb.mk.

“Pa fije turpi e pa asnjë argument, prezantuan e proklamuan, se gjoja nga muaji prill e deri në muajin shtator subvencionuan në masën prej 80% të energjisë elektrike të konsumuar për 611.000 konsumatorët familjarë dhe për 72.000 konsumatorë të biznesit të vogël që furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal”, thonë nga ASH.

Sipas tyre, e vërteta është krejt ndryshe!

“I kujtojmë dhe i tregojmë qeverisë se në bazë të çmimeve që i keni aprovuar dhe miratuar pikërisht Ju e ai KRRE (Komisioni Rregullator i Energjisë) skandaloz që e keni propozuar e votuar ju, bizneset e vegjël në vend paguajnë 225€ për 1 MWh energji elektrike të konsumuar (13,8204 denarë për 1 kWh energji elektrike pa TVSH – për pjesën e furnizimit). Duke ju referuar çmimeve të energjisë elektrike në bursat evropiane për furnizim në tregun liberal, më konkretisht asaj HUPX, shihet qartë që qeveria po bën një propagandë të shpifur me qëllim që të fshehë paaftësinë, dhe keqmenaxhimin në këtë sektor”, thonë nga ASH.

Ata thonë se duke u bazuar në referencat e kësaj burse, të dhënat tregojnë:

  • se çmimi i tregtimit të energjisë elektrike me datë 10.10.2022 do të jetë 238€ për 1MWh
  • se çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike për periudhën e muajit tetor ( 01.10.2022 deri më 10.10.2022) është në vlerë prej 220€ për 1MWh, dhe
  • se për gjithë periudhën e vitit 2022, pra për periudhën kohore janar – tetor 2022 ( 01.01.2022 deri më 10.10.2022 ) çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike është në vlerë prej 284€ për 1 MWh.

“Në disa dalje publike Aleanca për Shqiptarët i ka prezantuar opinionit publik në vend se konsumatorët familjar dhe biznesi i vogël në RMV paguajnë energjinë elektrike me çmim më të lartë krahasuar jo vetëm me shtetet e tjera të rajonit por edhe ndaj disa vendeve të BE. (Në Bosnjë për 1MWh biznesi i vogël paguan 65€, në Kosovë 70€, në Serbi 100€, në Shqipëri 120€, në Bullgari 130€, në Rumani 180€ dhe në Greqi 220€ )”, thonë nga ASH.

Ata pyesin në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë eksponentët e ekspertët qeveritar, se si i përllogaritën dhe dolën të proklamojnë se po subvencionon energjinë elektrike të konsumuar nga sektori i biznesit të vogël në tregun universal.

“Kjo është një skandal dhe shprehje e një injorimi e mosrespektimi ndaj konsumatorëve të biznesit të vogël. Faktet që po ua prezantojmë tregojnë diçka krejtësisht tjetër nga ajo që po prezanton qeveria, shihet qartë se biznesi i vogël në RMV po paguan çmime shumë të larta për energjinë elektrike të konsumuar, po paguan çmime gati me ato që po ofron tregu i lirë. Pyesim publikisht qeverinë pas këtyre të dhënave që publikuam, të na tregojnë se ku është “fshehur” ai “gjoja 80%” famoz që qeveria po subvencionon për energjinë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël”, thonë nga ASH.

Propozimi i ASH-së për zbutjen e krizës është:

  • vlera e TVSH për energjinë elektrike të ulet në masën prej 5% nga ajo që është aktuale në masën prej 18%
  • subvencionimi për vendosjen e impiantëve fotovoltaikë për vetëkonsum
  • ulje e çmimit të furnizimit me energji elektrike.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button