Planifikojmë tubacion të naftës dhe gazit deri në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, paralajmëroi Vuçiq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në paraqitjen e tij të sotme para publikut, duke folur për krizën energjetike, paralajmëroi se Serbia, mes tjerash, planifikon ndërtimin edhe të tubacionit të naftës përgjatë Maqedonisë së Veriut deri në portin e Durrësit, si dhe lidhjen me gaz me shtetin tonë, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Duke e shpjeguar krizën aktuale energjetike në botë, Vuçiqi tha se pas ngjarjeve të fundit rreth sanksioneve të BE-së drejt Rusisë, me të cilat Kroacia u dëshmua si partner jo i besueshëm për tubacionin e naftës Janaf, i cili është tubacioni i vetëm i naftës me të cilin furnizohet Serbia me naftë, Beogradi ka marrë vendim për fillimin e ndërtimit të tubacionit të naftës drejt Hungarisë, ndërsa në plan është edhe ndërtimi i një tubacioni të naftës me “miqtë nga Ballkani i Hapur”.

“Duhet të fillojmë të diversifikojmë burimet e naftës. Serbia do të fillojë ndërtimin e një tubacioni nafte deri në Hungari. Në përputhje me marrëveshjen që unë dhe Viktor Orban kemi arritur tashmë, do të fillojmë ndërtimin e tubacionit të naftës Novi Sad – Hungari, deri në Alxha, në gjatësi prej 128 kilometrash. Tubacioni i naftës mund të kushtojë deri në 100 milionë euro”, tha presidenti serb.

Sipas tij do të nevojiten 18 deri 24 muaj që të ndërtohet tubacioni i naftës deri në Hungari.

“Ideja jonë është që të ndërtojmë tubacion të naftës edhe deri në Maqedoninë e Veriut dhe portin e Durrësit në Shqipëri, që të bëjmë rrjetëzime në vendin tonë me tubacion nafte. Do të fillojmë bisedime të shpejta me partnerët tanë nga Ballkani i Hapur dhe rajonin tha Vuçiq.

Vuçiqi duke folur për lidhjen me gaz dhe diversifkimin e burimeve të gazit, paralajmëroi se do të ndërtohet edhe lidhje me gaz me Maqedoninë e Veriut, që, siç tha, tashmë ka hyrë në planet e BE-së për financim.

Siç tha Vuçiqi, Serbia ka rezerva zë naftës për 75 ditë, të benzinës 59 ditë dhe kapacitete të plota të rezervave të gazit.

“Serbia në këtë periudhë do të furnizohet me naftë në mënyra të ndryshme, do të blejmë naftë irakiane, e cila është 20 për qind më e shtrenjtë, ndërsa do ta sjellim në vendin tonë përmes tubacionit të naftës Janaf.

Ai tha edhe se ka urdhëruar që gjithçka që prodhojnë fabrikat në Serbi, 20 për qind duhet të mbetet në Serbi dhe për forcat e armatosura, si dhe se do të investohen 12 miliardë në infrastrukturë.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button