Kontrisajd në Rankovc është ferma e parë për terapi me kuaj në vendin tonë

Shoqërimi me kafshët të mbush me energji pozitive, shëron sëmundje, shpëton jetë. Metodat terapeutike që përfshijnë kuaj, qen, mace…ka kohë që njihen në mbarë botën. Prej para pak kohësh ferma Kontrisajd në Komunën e Rankovcës është vendi ku çdo person që i do kafshët mund të vijë dhe të kalojë një ditë i rrethuar me dashurinë e tyre, në natyrë, si dhe ta përjetojë mikpritjen e pronares, Maria Duda Dibjaxhio, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Që të gjitha kafshët në Kontrisajd janë kafshë të shpëtuara, kanë historinë e tyre të jetës e cila këtu në fermë ka një fund të lumtur. Në momentin kur kanë pasur nevojë për ndihmë, dikush i ka ndihmuar, e tani ato i ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë për terapi. Kemi 6 kuaj, dy nga të cilët janë mëza, gomarin Matilda, dy dhi xhuxhe, tetë qen dhe 12 mace. Të gjitha kafshët lëvizin lirshëm, kënaqen duke u shoqëruar me vizitorët.

Foto: Meta.mk

„Kafshët e braktisura janë terapeutët më të mirë. Ata ofrojnë dashuri dhe vëmendje më të madhe”, thotë Maria Dibjaxhio dhe shton se Kontrisajd filloi me punë nga muaji gusht i vitit të kaluar si një ndërmarrje sociale e cila ka për qëllim të bëjë edukimin e të rinjve për rëndësinë që ka natyra dhe kafshët në jetën tonë.

„Pandemia na distancoi të gjithëve, ngjalli ankth dhe gjendje të tjera për të cilat nuk ishim të vetëdijshëm, ndërsa efekti i shoqërimit me kafshët dhe fakti që fshati u hap pikërisht gjatë pandemisë së COVID 19 kontribuoi që njerëzit ta pranojnë atë edhe më shumë si një vend për t’u relaksuar dhe për t’u shoqëruar”, thotë Maria.

Ajo thekson se ferma është e hapur për të gjithë ata që e duan natyrën dhe kafshët, që duan të relaksohen, por edhe që kanë nevojë për ndihmë. Punojnë me programin për hipoterapi për personat me nevoja të veçanta, sidomos me invaliditete fizike, ndërsa në muajt në vijim do të fillohet edhe me punëtoritë kushtuar shëndetit mendor dhe higjienës mendore, të cilat do të përfshijnë edhe aktivitete me kafshët.

Foto: Nga arkivi privat

Historia e Kontrisajd filloi krejt rastësisht vitin e kaluar pasi ajo theu këmbën dhe për shkak të pandemisë nuk mund të shkonte askund për terapi, kështu që vendosi të ndërtojë një pishinë dhe të punojë në këtë drejtim me kafshët e saj. Në fermë ka edhe mjedise për akomodim, ndërsa Maria ka ndërtuar dy shtëpiza prej druri me pamje nga malet, të cilat mund të përdoren edhe si zyrë në natyrë.

„Të gjithë vizitorët tanë kanë një gjë të përbashkët, ata janë adhurues të mëdhenj të natyrës dhe kafshëve. Kemi shumë aktivitete që kanë për qëllim të mundësojnë shoqërim mes vizitorëve dhe kafshëve, fëmijët i adhurojnë dhitë dhe qentë, i lëmë t’i krehin, i mësojmë se si t’i ushqejnë dhe si të kalërojnë kuajt. Kemi edhe dhjetëra biçikleta, kështu që kushdo që dëshiron mund të bëjë një xhiro në mjedisin përreth”, thotë Maria.

Si një person i kthyer nga SHBA-të Maria thotë se përvojat që i ka mësuar nëpër fermat për hipoterapi atje, do t’i sjellë në Kontrisajd. Me mbështetjen e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik tashmë është përpiluar një Program për hipoterapi, në kuadër të të cilit janë krijuar ushtrime të ndryshme për persona me nevoja të ndryshme. Ekipi përbëhet nga një psikolog, defektolog, logoped dhe një fizioterapeut, ndërsa së shpejti do të realizohet edhe një projekt pilot për familjet që do të mund të marrin pjesë në program për tre muaj pa asnjë pagesë. Kjo përvojë duhet të jetë baza për programin përfundimtar për terapi që do të fillojë vitin që vjen.

Foto: Meta.mk

„Për ne është shumë i rëndësishëm edhe shëndeti mendor. Ka të dhëna se gjatë pandemisë gratë kanë vuajtur shumë më tepër nga sulmet e panikut dhe nga ankthi, si dhe nga dhuna në familje. Ne duam të krijojmë programe që do t’u ofrojnë mbështetje për ta kapërcyer më lehtë këtë sfidë”, thotë Maria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button