Çmimet do të jenë 300 deri në 350 euro më të ulëta në muajin nëntor për energjinë termike, paralajmëroi ministri Bekteshi

 Janë duke u shqyrtuar opsionet që prodhuesit e produkteve ushqimore bazë të kenë një çmim më të ulët të rregulluar për të ulur çmimet përfundimtare të produkteve finale, por edhe se si t’u dilet në ndihmë  ndërmarrjeve komunale publike, njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, raporton MIA.

Sipas tij, ministri i Financave, Fatmir Besimi, deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme, me shumë gjasa do t’i prezantojë masat për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.

“Masat janë targetuar, veçanërisht për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. Dje në Këshillin Ekonomik kemi biseduar në detaje që gjithçka të mos jetë barrë e Buxhetit dhe të shpallen masat. Ne njoftuam se shkollat ​​do të kalojnë në tregun e rregulluar dhe se spitalet do të mbështeten nga shitja e EMV-së. Tashmë janë duke u bërë analiza për ndërmarrjet publike komunale dhe ato janë drejt përfundimit. Metodologjia është duke u hartuar dhe ne po kërkojmë një mënyrë për t’i përmbushur ato, por do të ketë një mekanizëm”, theksoi ministri duke qenë mysafir sonte në televizionin Sitel.

Në lidhje me energjinë ngrohëse, Bekteshi ritheksoi edhe një herë se do të ketë ngrohje dhe për muajin tetor janë siguruar sasitë e nevojshme të gazit natyror. Javën e ardhshme ose në mesin e këtij muaji, shtoi ai, do të ketë oferta edhe për muajin nëntor dhe çmimet do të jenë 300 deri në 350 euro më të ulëta.

Siç ka shpjeguar Bekteshi, Çairi dhe Buteli kanë pasur ngrohje tre ditët e fundit për shkak se ngrohtorja Veri ka në depo gaz natyror nga sezoni ngrohës i mëparshëm.

“Megjithatë, nuk kam asnjë informacion që kanë siguruar gaz natyror nga 15 tetori e tutje”, tha ministri. Ai vlerësoi gjithashtu se nga 1 janari presioni i rritjes së çmimit të energjisë ngrohëse do të jetë më i ulët. 

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button