Do ketë ndotje të madhe të ajrit, por nuk do ketë laborator shtetëror që ta masë atë

Laboratori Qendror për Mjedisin Jetësor as këtë dimër nuk do jetë i përgatitur për ta monitoruar cilësinë e ajrit që thithim. Edhe pse këto ditë ministri për mjedisin jetësor, Naser Nuredini, tha se na pret një dimër i ashpër në të cilin për prodhimin e energjisë elektrike dhe për ngrohjen e shtëpive do të përdoren lëndë djegëse të papastra dhe se mund të presim edhe rritje të ndotjes së ajrit, matjet e emetimeve në ajër do të mund të bëhen vetëm në laboratorë privat, shkruan Meta.mk, transmeton Meta.mk.

Edhe pse ekziston tashmë për dekada të tëra, Laboratori i Ministrisë së Mjedisit Jetësor ende nuk është akredituar për asnjë nga metodat për monitorimin e gjendjes së ajrit. Vitin që shkoi u sigurua instrumenti për matje nga burime stacionare, por për të punuar me të është trajnuar vetëm një operator. Prandaj procesi i akreditimit të laboratorit të vetëm shtetëror për metoda për ndotjen e ajrit do duhet të presë punësimin e dy operatorëve të tjerë të rinj, të cilët pastaj do duhet të trajnohen se si ta përdorin instrumentin për matje nga burime stacionare.

Nga Ministria thonë se procedura për dy punësimet po vijon, por procedura për akreditim do mund të fillojë vetëm pasi të përfundojë i gjithë procesi i punësimit dhe trajnimit.

„Laboratori është në pritje të punësimeve të reja që të mund të akreditohet për metodat për ajrin. Për momentin është siguruar instrumenti për matjen e emetimeve nga burimet stacionare dhe për punë me të është trajnuar një operator, por për akreditimin e metodave na nevojiten tre operatorë. Pasi të bëhet punësimi i personave të rinj profesionistë kemi në plan të që akreditojmë disa metoda për ajrin”, thonë nga Ministria dhe shtojnë se për momentin nuk janë planifikuar blerje të instrumenteve të reja për matjen e ndotjes së ajrit.

Për ekologjistët zgjatja e procesit të akreditimit të Laboratorit Qendror është problematike. Gorjan Jovanovski, krijuesi i platformës Air Care-Ajri Im thotë se premtimet për akreditim janë të kahmotshme, por ato asnjëherë nuk vendosen si prioritet edhe pse në vend si pasojë e ajrit vdesin mbi 3000 persona në vit.

„Nuk e di se kur politikanët do ta bëjnë prioritet mjedisin dhe ajrin e pastër. Bëjnë sikur as ata dhe as fëmijët e tyre nuk e thithin helmin që na mbulon çdo dimër. Dhe e dimë se këtë dimër do të kemi ndotje tejet të madhe. Bëhet fjalë për kthimin e mazutit dhe thëngjillit, burime energjetike që e dimë se sa keq ndikojnë në cilësinë e ajrit”, thotë Jovanovski.

Siç ka shkruar tashmë Meta.mk, në maj të këtij viti Laboratori Qendror për Mjedisin Jetësor pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor është akredituar edhe për pesë metoda të tjera për testimin e ujërave të zeza me të cilat bëhet përcaktimi i cilësisë së ujërave të zeza për sasinë e joneve të amonit, sulfateve, klorideve, fosforit dhe fosfateve. Kështu që me këto, laboratori tani është i akredituar për gjithsej 12 metoda njëra nga të cilat është për zhurmën, ndërsa një tjetër për ujin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button