Petkov dhe Vasilev pranuan humbjen në zgjedhjet e sotme në Bullgari

“Vazhdojmë me ndryshimet” pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, transmeton 360 Gradë.

“I humbëm zgjedhjet. GERB dhe DPS kanë mandat të qartë për të formuar koalicion”, tha bashkëkryetari i partisë, Asen Vasilev, në komentin e tij të parë pas zgjedhjeve të sotme.

Kiril Petkov tha se çdo ditë do të punojnë me premtimet që u kanë dhënë qytetarëve bullgarë.

Petkov tha se si opozitë konstruktive do të jenë mbi çdo veprim të qeverisë së ardhshme. Sipas ish-kryeministrit bullgar, ajo që ndodhi sot tregon shumë qartë se një numër i madh njerëzish vazhdojnë të besojnë se Bullgaria mund të jetë e suksesshme dhe e begatë pa u konsumuar nga korrupsioni.

“Ne duam të respektojmë zgjedhjen e popullit dhe fakti që GERB është forca e parë politike mbart një përgjegjësi të madhe. Ne u premtuam votuesve tanë se nuk do të ketë koalicion me GERB-in dhe DPS-në, ne do ta përmbushim premtimin tonë. Ne si politikanë do të jemi njerëzit që do të përmbushim premtimet tona”, ka thënë Kiril Petkov.

Bullgaria nuk ka gjasa të ketë një qeveri të qëndrueshme edhe pas zgjedhjeve të katërta parlamentare.

Exit poll-et treguan se fitues i zgjedhjeve do të jetë Bojko Borisov dhe koalicioni i tij GERB-SDS. Dhe të tilla të dhëna tregojnë edhe rezultatet e numërimit paralel të votave.

“Galub International” shpalli rezultatet e numërimit 100 për qind paralel të votave në zgjedhjet parlamentare në Bullgari.

Koalicioni GERB-SDS është forca e parë politike me 23.5 për qind të votave. Më pas vijon “Vazhdojmë me ndryshimet” me 19.5 dhe DPS me 15.2 për qind.

Populisti “Vzrazhdane” është i katërti me 10 për qind të votave, i ndjekur nga BSP me 8.9, “Bullgaria Demokratike” me 7 dhe “Ngritja Bullgare” me 4.7 për qind të votave.

“Ka një popull të tillë” i Slavi Trifonovit aktualisht është nën pragun prej katër për qind dhe sipas këtyre rezultateve nuk do të ketë sukses të hyjë në Asamblenë Kombëtare.

Çfarë nënkuptojnë këto rezultate?

Për formimin e qeverisë në Bullgari kërkohet një shumicë prej 121 deputetësh, duke qenë se në Asamblenë Kombëtare janë gjithsej 240 deputetë.

Si koalicione të mundshme qeveritare, “Vazhdojmë me ndryshime” e Kiril Petkovit së bashku me BSP dhe “Bullgarinë Demokratike” nga njëra anë, dhe GERB-SDS e Bojko Borisov së bashku me DPS dhe Rilindjen populiste përmenden si koalicione të mundshme qeveritare.

Me një situatë të tillë, Bojko Borisov do të duhej të formonte qeverinë e re bullgare, sepse në një përbërje të tillë ai do të kishte 123 deputetë, të mjaftueshëm për një shumicë të vogël në Asamblenë Kombëtare.

Por një qeveri e tillë është më e mundur matematikisht sesa politikisht, veçanërisht për shkak të imazhit të DPS-së. Petkov nuk do të mund të formonte qeverinë e re sepse koalicioni i tij do të kishte vetëm 97 deputetë, që nuk mjafton për një shumicë në parlament.

Megjithatë, media bullgare përmend tashmë një koalicion të ri që mund të dalë pas rezultateve të tilla zgjedhore. Një koalicion i gjerë i dy partive më të mëdha në Bullgari, GERB-SDS i Borisovit, së bashku me “Ndryshimet vazhdojnë” dhe “Bullgaria Demokratike” e Kiril Petkov. Ky koalicion do të kishte 130 mandate. Petkov deklaroi se nuk do të bënte koalicion me GERB-in derisa Borisov të jetë në krye të saj.

Se rezultatet do të jenë të tilla që formimi i një qeverie të qëndrueshme do të jetë jashtëzakonisht i vështirë, paralajmëroi opinioni ekspert bullgar.

Vitin e kaluar në Bullgari u mbajtën tre cikle zgjedhore radhazi. Vetëm në tentativën e fundit ishte një qeveri e udhëhequr nga subjekti i ri politik “Vazhdojmë me ndryshimet”, në të cilat çifti Kiril Petkov – Asen Vasilev luajti rol kryesor. Koalicioni i tyre, në të cilin morën pjesë edhe BSP, Bullgaria Demokratike dhe Ka një popull të tillë, zgjati pak më shumë se gjashtë muaj. Kabineti i Petkovit u zgjodh më 13 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa qeverisë së tij iu votua mosbesimi më 22 qershor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button