Kosova vitin e ardhshëm do të bëjë regjistrim të popullsisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 99-të me radhë ka marrë vendim për regjistrimin e ri të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Qeveria e Kosovës, regjistrimi i ri i popullsisë do të bëhet në muajt shtator dhe tetor të vitit të ardhshëm.

“Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, do të realizohet në periudhën kohore 1 shtator – 16 tetor 2023”, njofton Qeveria.

Ky vendim obligon tani Agjencinë e Statistikave të Kosovës të fillojë përgatitjet e duhura me qëllim realizimin e regjistrimit në periudhën e cekur në këtë vendim.

Po kështu, bëhet e ditur se në mbledhjen e saj Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Kosovës edhe kandidatët për anëtarë të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë pritet të angazhohen rreth 2.500 deri 7.600 regjistrues, rreth 350 deri 400 mbikëqyrës, si dhe rreth 40 deri 50 trajnues-instruktorë me një kosto të përgjithshme të të gjithë procesit deri në rreth 12 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button