Sarrazin: Procesi i Berlinit nuk është kundër asnjë projekti

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë në një intervistë për DW foli për sfidat e rajonit në rrugën drejt BE-së, transmeton Portalb.mk.

Sarrazini i cili mori pjesë në Tiranë në Forumin e Ndërlidhshmërisë,  duke folur  për ndërlidhshmërinë në Ballkanin Perëndimor, Sarrazin tha se Ballkani Perëndimor mund të bëhet qendra e të gjitha linjave ndërkombëtare të transportit, pasi rajoni është Mesdhe.

“Itinerari është shumë i shkurtër. Mund t’ju them se rajoni ka një potencial shumë të madh ndërlidhshmërie, jo vetëm sa i përket transportit nga rajonet e tjera, por edhe për t’i sjellë produktet në tregun evropian Kjo është një nga temat kyçe të ndërlidhshmërisë në rajon”, tha Sarrazini.

I pyetur për rrugën eurointegruese të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera të rajonit ai tha se kjo nuk është e lehtë, pasi vendet duhet të transformojnë  jo vetëm legjislacionin, por të gjithë vendin.

“Duhet të shtroni pyetjet: si do të zhvillohen procedurat, si do të bëhet transparenca, sa duhet të përfshihet shoqëria civile në këtë proces dhe çfarë cilësie do të ketë ky proces. Shqipëria është në fazat e para por fatmirësisht puna po nis dhe kjo është edhe përshtypja ime kryesore: duhet të jeni kritikë për detajet, sepse detajet kanë rëndësi. Më në fund po nisim negociatat e mirëfillta, pasi Shqipëria kishte ngelur në vendnumëro për një kohë të gjatë, për arsye për të ardhur keq”, tha Sarrazini.

Për atë se a është më e rëndësishme të flitet për Procesin e Berlinit apo për nismën tjetër të disa liderëve të rajonit, Ballkani i Hapur, Sarrazini u përgjigj kështu:

“Në datën 3 nëntor do të mbahet samiti i Berlinit dhe këto javë unë po udhëtoj në Ballkan për të rritur pritshmëritë ndaj Procesit të Berlinit. Kemi besimin se do të ecim përpara përsa i përket Tregut të Përbashkët Rajonal, solidaritetit në energji dhe Agjendës së Gjelbër, si dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Pra, duam të rrisim pritshmëritë e Procesit të Berlinit dhe kjo është diçka e mirë. Ky Proces synon të arrijë gjëra pozitive për qytetarët e këtij rajoni. Nuk është kundër këtij apo atij projekti. Procesi i Berlinit ka të bëjë me çuarjen përpara të gjërave dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë në këtë zhvillim.”

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Nisma e Ballkanit të Hapur u shfaq para tre vjetësh nga liderët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon. Deri më sot, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen, duke argumentuar se nisma është e panevojshme pasi bashkëpunimi ekonomik rajonal tashmë është pjesë e agjendës së integrimit në BE dhe nismave të tilla si Procesi i Berlinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button