Dy drejtorët e BDI-së, shkaku i prishjes së ASH-së me Danella Arsovskën

Rreth tre muaj pasi që Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, paralajmëroi fundin e bashkëpunimit me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pasi që u shkarkua drejtori i Higjienës Komunale, Zudi Enuzi Koka, sot nënkryetarja e Qytetit të Shkupit nga radhët e ASH-së ka dhënë dorëheqje nga posti pasi Arsovska ka emëruar dy drejtorë nga radhët e BDI-së. Abazi për Portalb.mk shpjegoi se pas sherrit në Sheshin “Skënderbeu” ata janë distancuar nga bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në, por jo dhe nga Arsovska, pasi siç thotë, ajo ka qenë e pavarur, njofton Portalb.mk.

“Në zgjedhjet e fundit lokale në Qytetin e Shkupit ne u zotuam se do të largojmë nga pushteti ata që dëmtuan, plaçkitën dhe përkeqësuan jetën e shkupjanëve.  Por, kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka bërë dy shkelje skandaloze të marrëveshjes dhe zotimit që kemi dhënë para qytetarëve. Dje i gjithë opinioni ishin dëshmitarë se si Arsovska ju dha pushtet strukturave që për vite me radhë kanë dëmtuar rëndë shqiptarët në përgjithësi dhe shkupjanët në veçanti. Për këto dhe arsyet e përmendura në fillim, dua të njoftoj opinionin se sot jap dorëheqje nga posti i zëvendëskryetares së Qytetit të Shkupit dhe se udhëheqësia aktuale nuk do ta ketë mbështetjen tonë”, tha Bujare Abazi duke njoftuar se më tej do të vazhdojë të jetë këshilltare në Qytetin e Shkupit.

Nga Qyteti i Shkupit theksojnë se u vjen keq që Abazi e ka vendosur interesin e partisë përpara interesit të qytetarëve.

“Bujare Abazi nuk ishte zgjidhje partiake dhe në funksionin zëvendëskryetare u emërua si personalitet e cila i ka përfaqësuar interesat e qytetarëve. Sinqerisht na vjen keq që Abazi vendosi partinë ta vendosë përpara interesit të qytetit dhe shkupjanëve, por për atë i është vendim i saj. Departizimi i institucioneve patjetër të jetë postulat në bazë të së cilit do të ngritën institucione publike profesionale, a çdokush që interesat partiake i vendosi mbi ato publike, është e qartë se nuk mundet të funksionojë në drejtim të përfaqësimit përkatës të shkupjanëve”, thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit.

Ndarja e ASH-së nga VMRO-DPMNE dhe Arsovska

Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet lokale të vitit 2021 ka bashkëpunim me partinë opozitare VMRO-DPMNE. Të dy partitë për kryetare të Qytetit të Shkupit e kanë përkrahur hapur dhe me aktivitete kandidaturën e pavarur të Danella Arsovskës.

Sherri mes ASH-së dhe VMRO-DPMNE-së, e cila asokohe bashkëpunonte me Arsovskën ka filluar nga incidenti i 6 korrikut në sheshin “Skënderbeu” ku gjatë kohës së protestës antievropiane, vëllai i drejtorit të atëhershëm i Higjienës Komunale, Zudi Koka, e ka nxjerrë pistoletën dhe ka gjuajtur në ajër. Sipas tij, ky veprim është bërë me qëllim që ta mbrojë pronën e tij, gjegjësisht hotelin i cili ndodhet në afërsi të sheshin, e siç ka deklaruar një ditë paraprakisht është sulmuar nga protestuesit.

Mickoski, menjëherë në FB nxori një fotografi të personit që ka gjuajtur me armë, duke theksuar se i njëjti ka dashur ta vret atë. Policia menjëherë e ka arrestuar personin në fjalë.

Arsovska disa orë më vonë, gjatë mbrëmjes të po së njëjtës ditë e shkarkoi drejtorin Koka.

Një ditë më vonë, Taravari deklaroi se personalisht mendon se nëse me të vërtetë është shkarkuar drejtori, bashkëpunimi i Aleancës për Shqiptarët me Danella Arsovskën mbaron.

“Këtë e flas personalisht, megjithatë, sot do të kemi edhe mbledhje partiake, unë personalisht do të kërkoj nga udhëheqësia, mendoj se këtu mbaron tregimi jonë në Shkup me Danella Arsovskën. Pas orës 12 të mbrëmjes të shkarkojë drejtor, pa konsultim, kjo është e papranueshme”, deklaroi Taravari.

Ndaj deklaratës së Taravarit reagoi edhe Arsovska, duke i thënë “të shohë Gostivarin, e të mos përzihet në Shkup”.

“Nuk e kuptoj mendjemadhësinë dhe komentet e zotëri Taravarit, duke e pasur parasysh se bashkëpunimi na ka mbaruar që mbrëmë. Zgjidhje kadrovike mundet ai personalisht të vendos në Gostivar, dhe jo në Shkup. Me personalitet i cili sulmon, i cili nuk ka busull etike, arsyeton çfarëdo forme të dhunës dhe sulmit me armë siç ishte incidenti i djeshëm i nxit tensionet ndëretnike, nuk ka bazë për bashkëpunim. Shkupi është qytet i bashkëjetesës, solidaritet, në të cilin bashkëqytetarët tanë duhet qetë dhe sigurt të jetojnë dhe të respektohen”, deklaroi Arsovska.

Bujare Abazi, sot për Portalb.mk sqaroi situatën se pse që atëherë nuk ka dhënë dorëheqje. Sipas saj, ASH-ja asokohe është distancuar nga VMRO-DPMNE, por jo edhe nga Arsovska.

Bujare Abazi
Bujare Abazi

“Pas ngjarjeve të korrikut ajo që ndodhi në Sheshin Skënderbeu, dhe më pas shkarkimin e drejtorit Zudi Koka, ne vendosëm që të distancohemi prej bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në, por jo edhe prej Danella Arsovskës, pasi që Arsovska asnjëherë s’ka qenë VMRO-DPMNE, por ka qenë e pavarur dhe kjo u tregua edhe me veprimet e fundit ku shkarkoi drejtorët nga radhët e VMRO-DPMNE-së”, thotë Abazi.

Ajo sqaroi se bashkëpunimi ka vazhduar derisa Arsovska nuk i ka emëruar dy drejtorët nga radhët e BDI-së.

“Tani dhashë dorëheqje pasi që me emërimin e dy drejtorëve të BDI-së, na u dërgua porosia se Arsovska do të bashkëpunojë me ata. Ne përfaqësojmë vlera tjera nga ata të BDI-së dhe për këtë nuk mundemi të vazhdojmë me këtë bashkëpunim”, tha Abazi.

Sipas Bujare Abazit, përveç postit të Zudi Kokës, i cili më pas u shkarkua, në asnjërin prej këtyre posteve nuk janë emëruar kuadrot e ASH-së. ASH, është dashur të emërojë edhe drejtor në Shtëpinë e Kulturës “Koço Racin” tre zëvendës drejtorë në “Ujësjellësin”, “Rrugë dhe Rrugica” dhe “Parkingjet e Qytetit”, si dhe 5 drejtorë të shkollave.

“Nuk janë emëruar kuadrot e ASH-së në postet që i kemi pasur sipas marrëveshjes. Për Shtëpinë e Kulturës, drejtori aktual ende ka mandat, ndërkaq për zv.drejtorët nuk arritëm ta bëjmë sistematizimin. Personat që është dashur të vendosen në pozitat e zëvendësdrejtorëve kanë qenë të punësuar në Qytetin e Shkupit, por nuk i kanë marrë postet pasi që nuk është kryer sistematizimi, i cili bëhet me pëlqim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, thotë Abazi.

Sherri VMRO-DPMNE – Arsovska

Qyteti i Shkupit u përball me një valë dorëheqjesh, pasi që Arsovska e ka ndërprerë bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në, e cila e përkrahu që të bëhet kryetare dhe e cila ka shumicën në Këshillin e Qytetit.

Sherri mes tyre nisi pasi më 9 shtator, Arsovska, pa marrëveshje paraprake me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e shkarkoi u.d. drejtorin e e Ujësjellësit, Zllatko Perinski. Sipas Qytetit të Shkupit, ai ka tentuar të ndikojë në procedurën për zgjedhjen e kontraktorit për tenderin prej 136 milionë eurosh, për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.

Shkarkimi i drejtorit ka bërë që Arsovska dhe përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, por edhe vetë kryetari i saj, Hristijan Mickoski të shkëmbejnë akuza për shpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

“Tani që ju kapa me gishtat në mjaltë, nuk bëj për ju. Ku është Mickoski, dua t’i them që po të kishte luftuar kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të dëmshme, do ta kishte shpëtuar Maqedoninë. Mos të më kërcënohet, le të vijë”, u ka thënë Arsovska këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, njëri prej të cilëve në seancën e 15 shtatorit e pyeti nëse ka pasur kontakte me një shtetas turk, kompania e të cilit ka qenë pjesëmarrëse në tender.

Arsovska në ndërkohë, i ka emëruar të zgjedhurit e saj në resorët në të cilat kanë dhënë dorëheqje përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së. Sipas vendimit të 28 shtatorit, me NP “Lajka” do të udhëheqë Radmila Pesheva, ndërsa me NP “Rrugë dhe rrugica” do të udhëheqë Said Said. Ushtrues detyre në pozitën e drejtorit në NP “Parkingu” do të jetë Krste Petrevski, në NP “Parqe dhe gjelbërime” do të jetë Zuhejr Rexhepi,  ndërsa në NP “Drislla” do të jetë Aleksandar Kuzinakov.

BDI u distancua nga bashkëpunimi me Arsovskën

Për rastin e emërimit të dy drejtorëve nga BDI, këshilltarja e opozitares VMRO-DPMNE-së, Marija Andonovska, në seancën e Këshillit e ka uruar Arsovskën për, siç tha ajo, koalicionin e ri me partinë e koalicionit qeveritar të cilën e udhëheq, Ali Ahmetit. Përndryshe drejtori, Said Saidi, vjen nga Dega e Çairit dhe Zuhejr Rexhepi apo djali i ish reisit të BFI-së, Sulejman Rexhepi, i cili vjen nga Dega e Sarajit.

Por, BDI-ja, siç njoftoi Alsat sot ka dalë me qëndrim se distancohet nga bashkëpunimi i komunave të Çairit dhe Sarajit me Arsovskën. Kryetari i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Besnik Ajeti tha se kjo parti do të jetë opozitë në qytetin e Shkupit.

“BDI vazhdon të jetë opozitë konstruktive në Qytetin e Shkupit, për çdo ndryshim eventual do të keni informacion prej organeve kompetente të partisë. Drejtorët nuk janë kompetencë e jona e këshillit, por janë kompetencë të drejtpërdrejtë e këshillit”, tha Ajeti.

Se emërimi i dy drejtorëve të ndërmarrjeve publike në qytetin e Shkupit është bërë në konsultim mes kryetarëve të komunave dhe Arsovskës, e konfirmoi për Alsat edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

“Një gjë duhet ta kemi të qartë. Duhet të bashkëpunojmë në mënyrë institucionale, pasi nëse i bëjmë bllokim njëri tjetrit nuk funksionon Qyteti i Shkupit por nuk funksionon as komuna jonë. Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje të kushtëzuar, ky është bashkëpunim komunal mes komunave tona dhe Qytetit të Shkupit”, u shpreh Ganiu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button