Përdorimi i dhunës dhe brutaliteti policor

Ka shtete të ndryshme në botë, me sisteme të ndryshme juridiko-shoqërore. Në shtete të caktuara institucionet shtetërore funksionojnë bazuar në ligje dhe në sistem vlerash të cilat i japin rëndësi të drejtave të njeriut dhe sistemit liberal të vlerave ku njerëzit janë të lirë të thonë atë që e mendojnë, të jetojnë si duan, të vishen dhe të duken si duan dhe të ndërmarrin veprime që ata i shohin të arsyeshme me kusht që këto veprime të mos i lëndojnë të drejtat e njerëzve tjerë. Nga ana tjetër, ka vende te të cilat vinë në shprehje vlera më konservative në krahasim me vlerat liberale. Në vende të tilla sistemi juridik dhe shoqëror i vendit është i orientuar ndaj mbrojtjes së atyre vlerave konservative, dhe ndodh shpesh që politikat shtetërore gjatë mbrojtjes së këtyre vlerave të ndërhynë në të drejtat individuale dhe civile të qytetarëve.

Një konflikt i tillë mes vlerave që shteti dëshiron t’i mbrojë përmes politikave shtetërore dhe rregullave juridike dhe vlerave të tjera të rëndësishme për qytetarët, po ndodh ditëve të fundit në Iran, ku ka protesta në shumë qytete pas rastit që u bë i njohur botërisht e ku një vajzë njëzet e dy vjeçare, Mahsa Amini, u vra gjatë përpjekjes së policisë për ta arrestuar për shkak të vlerësimit se nuk e ka respektuar kodin e veshjes në publik. Ky rast inicioi një sërë protestash para ambasadave të Iranit nëpër botë dhe u bë shkas për demonstrata të shumta ku në qendër të vëmendjes është dhuna ndaj grave për shkak të pritshmërive që disa vende i kanë për mënyrën si duhet të vishen apo të duken gratë në publik.

Rasti i Mahsa Aminit mund të shqyrtohet në shumë aspekte sociologjike dhe juridike. Në aspektin sociologjik ky rast ka të bëjë me sistemin e vlerave që promovohet në shoqëri të ndryshme e ku ka raste ku mbulesa e grave për arsye të religjionit bëhet ose e detyrueshme, si në rastin e Iranit, ose e palejuar, si në rastin e shteteve tjera ku gratë me mbulesë poashtu janë shpesh viktima të diskriminimit dhe sulmeve të ndryshme.

Kur flasim në aspekt juridik, duhet të kemi parasysh karakterin e shteti që vendos rregullat përmes ligjeve dhe kodeve penale. Shtetet që kanë sistem liberal të vlerave e zbatojnë idenë e shekullarizmit, sipas të cilës feja është e ndarë nga shteti dhe njerëzve nuk mund t’u imponohen sjellje të caktuara sipas kërkesave fetare. Nga ana tjetër, në shtetet me sistem konservativ të vlerave, shteti imponon sjellje të caktuara sipas parimeve fetare sepse në ato shtete nuk zbatohet parimi i shekullarizmit dhe nuk ka ndarje të qartë mes fesë dhe shtetit. Në shtete të tilla politikat shtetërore, rregullat juridike dhe ligjet ndërhynë shpesh në liritë dhe të drejtat individuale të njeriut dhe qytetarit i cili shpesh gjendët në situatë ku nuk mund të jetojë ashtu si vlerëson vetë se duhet të jetojë. Në këto raste, individi i tillë, veçanërisht nëse është pakicë në shoqëri, dhe veçanërisht nëse shteti nuk funksionon sipas sistemit të demokracisë liberale, është shumë i kufizuar për atë se çfarë mund të bëjë për ta përmirësuar situatën e tij individuale dhe shoqërore.

Rasti i Mahsa Aminit duhet posaçërisht të shqyrtohet në aspektin e zbatimit të ligjit dhe tejkalimit të kompetencave të policisë. Ky është një rast eklatant i brutalitetit policor i kombinuar me dhunën ndaj grave dhe si i tillë duhet trajtuar shumë seriozisht nga të gjitha institucionet, posaçërisht nga institucionet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Brutaliteti policor nuk është diçka ekskluzive për Iranin ose për vendet lindore. Ka raste të brutalitetit policor në të gjitha vendet. Por ajo që i dallon vendet demokratike nga ato jodemokratike është qasja e shtetit ndaj brutalitetit policor. Ka shtete te të cilat kur policia i tejkalon kompetencat e veta dhe gjatë arrestimit lëndon ose vret dikë, përballet me përgjegjësi serioze dhe bart dënimin e merituar për këtë gjë. Ka vende ku brutaliteti policor mbetet i padënuar dhe para tij mbyllen sytë. Problemi është se në këto vende jeta e njeriut vlen shumë pak dhe mund të humbet lehtësisht, bile edhe në duart e organeve që pikërisht duhet ta mbrojnë jetën e njeriut, dhe për këtë mund të ndodhë që të mos përgjigjet askush. Dhe kur një vajzë e re e humb jetën nga duart e policisë, për shkak të mënyrës se si ajo ka vendosur të vishet, është e kuptueshme që për këtë do të ketë reagim të ashpër mbarëbotëror.

Gratë ballafaqohen me forma të ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre. Por kur dhuna vjen nga policia dhe drejtohet pikërisht ndaj tyre me qëllim që t’i disiplinojë ato për mënyrën se si duhet të vishen apo duken, kjo me të drejtë është diçka që duhet ta shqetësojë gjithë botën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button