Sali: Pandemia Covid-19 në RMV nuk mund të quhet si e përfunduar

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në një intervistë për Zërit të Amerikës, tha se pandemia e Covid-19 ende nuk ka përfunduar në Maqedoninë e Veriut, edhe pse presidenti amerikan, Joe Biden, së fundi në televizionin amerikan CBS tha se beson që pandemia ka “mbaruar”, megjithëse SHBA vazhdon të ketë “probleme” me virusin, transmeton Portalb.mk

“Derisa autoritetet nga fusha shëndetësore, jo ajo politike, në nivel botëror nuk thonë se pandemia ka përfunduar dhe se Covid duhet të konsiderohet si një përvojë e keqe për të gjitha sistemet shëndetësore në botë, ne nuk mund të themi se ajo ka përfunduar. Duke pasur parasysh se ne jemi një vend i hapur dhe komunikojmë me të gjitha vendet e tjera si në rajon, ashtu edhe në botë, kemi udhëtime dhe lëvizje të vazhdueshme të qytetarëve tanë, kështu që nuk i dihet kurrë. Nëse ju kujtohet, Covid-19 filloi me një të infektuar, i cili erdhi nga Austria dhe më pas përjetuam pesë valë, me pasoja dhe periudha shumë të vështira për sistemin.”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Sali tha se sipas mënyrës së manifestimit të kësaj sëmundjeje, tani për tani mund ta konsiderojmë Covid-19, si një grip sezonal.

“Gjatë kësaj periudhe situata me pacientët e rinj me Covid është e qetë. Çdo ditë marrim të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 70-80 qytetarë të vendit të infektuar, por sipas pasqyrës klinike që marrim për ata pacientë, mund të them se tashmë Covid mund të konsiderohet si një grip sezonal, sepse nuk ka pasoja, manifestimi i simptomave te pacientët është në forma më të lehta dhe gjendja tani për tani është e qetë. Por, përderisa akoma ekziston, kapacitetet tona janë të përgatitura për t’u ballafaquar me çfarëdo vale të re të mundshme, gjë të cilën e kaluam në periudhën gjatë muajve korrik dhe gusht, por gjithsesi sistemi duhet të jetë gati. Nuk mund të themi se ka kaluar, ose se nuk ekziston më.”, tha ai.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vend që nga fillimi i pandemisë është 342.615, numri i të vdekurve është 9.531, ndërsa numri i rasteve aktive është 374.

24 orët e fundit prej 787 të testuarve në RMV, kanë rezultuar 81 të infektuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button