Në RMV ka punë, por 93% janë analfabetë funksional, tha zëvendëskryeministri Bytyqi

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, deklaroi se emigrimi masiv nga vendi paraqet zbrazëtirë në tregun e punës dhe kjo është problem për tërë shoqërinë. Ai thotë se ka kërkesa të mjaftueshme për fuqi punëtore, por shumica e të papunëve janë analfabetë funksional, gjegjësisht shkathtësitë e tyre nuk përputhen me nevojat e tregut të punës, njofton Portalb.mk.

“Prej vitit 2011 deri në vitin 2019-të nga shteti ynë kanë emigruar 700.000 bashkëqytetarë tanë ose afërsisht çdo i katërti qytetar ka ikur nga shteti. Edhe pse ky trend është ulur në periudhën e kovidit edhe më tej, për fat të keq, paraqet problem serioz jo vetëm për bartësit e funksioneve publike dhe për kreatorët e politikave, por edhe për tërë shoqërinë, pasi që krijohet zbrazëtirë në tregun e punës. Sipas të gjitha gjasave në krijimin e politikave si shoqëri patjetër duhet të hapim një diskutim për plotësimin e tregut të punës, për sjellje pak më të ndryshme nga deri më tani. Nëse shihni në Agjencinë për Punësinë përqindja e të papunëve me të vërtetë është e lartë, por 93,4% e të papunëve janë analfabetë funksional, ose ajo do të thotë se shkathtësitë e tre nuk përputhen me tregun e punës. Përfundimisht mendoj se ka ardhur koha të gjithë të vetëdijesohemi se patjetër duhet të ndryshojmë dhe të jemi aktorë aktiv në tregun e punës. çdokush mund të kontribuojë. Ajo do të thotë rikualifikim, ndryshim të shprehive për punë, pasi që punë ka, kërkesa për fuqi punëtore ka, por dukshëm janë gabuar politikat në 30 vitet e fundit”, deklaroi Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske pas konferencës në të cilën u promovua raporti i OECD “Kapitali njerëzor, emigrimi dhe si ta formësojmë të ardhmen bashkë”.

Për shkak të zbrazëtirës së tregut të punës, Bytyqi thotë se edhe Maqedonia tanimë ka filluar të importojë fuqi punëtore.

“Tanët shkojnë në Gjermani, por edhe jemi tërheqës për njerëz nga vendet tjera. Pagat te ne janë më konkurrente nga vendet ku vijnë. Në ndërtimtari kemi numër serioz të qytetarëve turq, pasi që pagat në atë sektor janë diku për 50% më të larta se pagat në Turqi. Keni në sektorin IT nga India dhe Pakistani. Importi i fuqisë punëtore është i pashmangshëm.

Në prezantimin e raportit dje u deklarua se tendenca kryesore në pasojat e migracionit të punës të Maqedonisë së Veriut është mospërputhja midis kërkesës së tregut të punës në Maqedoninë e Veriut dhe mungesa e perspektivave për të rinjtë.

Në panel gjithashtu u theksua se sfidat kyçe që duhet të adresohen nga hartuesit e politikave kanë të bëjnë me tejkalimin e hendekut midis kërkesës së tregut të punës dhe sistemit arsimor, me përmirësimin e klimës së investimeve për të inkurajuar më tej investimet e huaja të drejtpërdrejta nga diaspora dhe me zhvillimin e stimujve për talentet e reja që të kthehen në Maqedoninë e Veriut pas trajnimeve dhe studimeve jashtë vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button