Sanksionet, mjet për të çrrënjosur korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi Departamenti i Shtetit

Sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për të çrrënjosur korrupsionin në shtetet e Ballkanit Perëndimor, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, raporton REL. Ai këto komente i bëri pasi më 26 shtator, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Prokurores së Shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, Diana Kajmakoviq.

Price tha se një prej qëllimeve të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor është që të punojë me qeveritë për të luftuar korrupsionin.

“Sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm – por jo mjeti i vetëm i rëndësishëm – kur bëhet fjalë për rajonin dhe për qëllimin tonë. Këtë qëllim ne e ndajmë me qeveritë dhe banorët e këtij rajoni, pra për të çrrënjosur korrupsionin”, tha ai.

Sipas njoftimit të Thesarit, Kajmakoviq u sanksionua për shkak të “cenimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit” në Bosnjë e Hercegovinë.

Kajmakoviq është zyrtarja e fundit në serinë e disa zyrtarëve në Bosnjë e Hercegovinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që janë sanksionuar nga SHBA-ja.

Në prill të këtij viti, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj shtatë personave, që u thanë se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive. Në mesin e tyre ishin dy shtetas të Shqipërisë, dy zyrtarë të Bosnjë e Hercegovinës, një të Malit të Zi dhe dy në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ish-kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski.

Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, SHBA-ja ka sanksionuar edhe disa zyrtarë të Bosnjë e Hercegovinës, por po ashtu zgjeroi sanksionet ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për vepra korruptive.

Dodik fillimisht ishte sanksionuar nga SHBA-ja më 2017.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit, sanksionoi shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Serbët e sanksionuar janë: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button