Sonda e NASA-s u përplas me sukses me një asteroid

Sonda Dart e agjencisë hapësinore amerikane, NASA, është përplasur me sukses në një asteroid, duke shkatërruar veten në këtë proces, njofton REL.

Përplasja ishte e qëllimshme dhe ishte dizajnuar të testonte nëse shkëmbinjve hapësinorë, që mund të kërcojnë Tokën, mund t’iu ndryshohet kursi në mënyrë të sigurt.

Kamerat e sondës Dart kapën pamjen e përplasjes në objektin 160 metra të gjerë të quajtur Dimorphos.

Do të duhen disa javë para se shkencëtarët e misionit të udhëhequr nga NASA, të kuptojnë me saktësi nëse ky eksperiment ka funksionuar, por Lori Glaze, drejtoreshë e shkencës planetare në NASA, tha se është e bindur se është arritur diçka e jashtëzakonshme.

“Ne po hyjmë në një epokë të re të njerëzimit, një epokë që potencialisht ne do të kemi aftësinë për të mbrojtur veten nga diçka siç është një goditje e rrezikshme e një asteroidi. Është diçka e jashtëzakonshme, ne kurrë më parë nuk e kemi pasur këtë aftësi”, tha ajo për gazetarët.

Sonda Dart po lëvizte me një shpejtësi relative prej 22.000 kilometrash në orë kur hasi dy asteroid, një më i madh dhe një më i vogël, dhe më pas softueri i navigimi rregulloi trajektoren e sondës dhe ajo u përplas me asteroidin Dimorphos.

Nga pamjet e marra nga sonda, shkencëtarët thanë se asteroidi kishte formën e një diamanti dhe në disa pjesë të sipërfaqes së tij kishte gurë, por disa zona ishin të lëmuara.

Kontrollorët në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar të Universitetit Johns Hopkins, pritën me gëzim pamjet e kapura nga kamerat në sondën Dart. Sipas të dhënave të para, vendi ku u përplas sonda ishte vetëm 17 metra larg qendrës së asteroidit Dimorphos.

Para përplasjes, Dimorphosit i duheshin 11 orë e 55 minuta që të rrotullohej rreth orbitës së tij. Kjo kohëzgjatje pritet të shkurtohet për disa minuta, pas përplasjes me sondën e NASA-s.

Por, dëshmitë e para që erdhën nga pamjet e incizuara rreth 11 milionë kilometra larg Tokës, duket se plani ka funksionuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button