Maqedonia e Veriut nën skanim

Procesi i skriningut ka filluar dhe me këtë zyrtarisht fillojnë hapat a parë të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kemi pritur vite dhe dekada me radhë për ta filluar këtë proces, kemi qenë të bllokuar në të gjitha anët, dhe dalëngadalë, e me shumë vendosmëri, i kemi hequr një nga një pengesat për të ardhur deri te kjo ditë. Nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht kur pasi hiqen pengesat e jashtme, mbeten ende pengesat e brendshme për tu hequr. Ka të tillë që siç duket nuk dëshirojnë që ky proces të zhvillohet, prandaj në vend që të merren me mënyrën se si më shpejtë ta kalojmë këtë fazë, ata meren me mënyrën si mund të kthehemi sërish atje ku ishim para tri dekadave dhe të vazhdojmë të mbesim të izoluar.

Të mos harrojmë se ishin pikërisht marrëveshjet jetike për këtë shtet që na sollën deri në këtë fazë që të mund të negociojmë për një ardhmëri evropiane. U deshën tridhjetë vjet dhe arratisje e një pjese të mirë të popullatës për në perëndim që të bindemi se po vazhduam të mbetemi me izolim jo vetëm që nuk do të mbetet gjë prej identitetit të shumëpërfolur, por do ta humbim edhe shtetin, duke qenë se popullata është elementi kryesor i shtetit dhe kapitali fundamental i tij.

Tri janë marrëveshjet që kontribuuan në arritjen e kësaj faze ku jemi tani, më afër se kurrë më parë drejt BE-së. Marrëveshja e Ohrit që në vitin 2001 e ndryshoi pamjen e shtetit dhe mundësoi që aty të integrohen të gjitha etnitetet dhe krijoi hapësirën e duhur për të siguruar diversitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor si vlerë fundamentale evropiane e cila tani çmohet si e tillë në procesin e filluar të skriningut. Ka shumë skeptikë që ende e shohin me vrer dhe armiqësi këtë marrëveshje, por ata që i kuptojnë gjërat e dinë që sigurimi i stabilitetit të brendshëm ndëretnik është shtylla kryesore e ndërtimit të ardhmërisë së sigurt të një shteti.

Marrëveshja e dytë që u lidh në vitin 2017 e që është po ashtu marrëveshje jetike për procesin e integrimit evropian është Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Pas shumë baticave dhe zbaticave lidhur me këtë marrëveshje dhe pas propozimit Francez, filloi të zgjidhet edhe një proces shumë i rëndësishëm që siguron identitetin gjuhësor dhe etnik të maqedonasve etnikë, identitet ky i kontestuar gjatë kohë nga ana e Bullgarisë, e cila deri në moment të fundit e e mbajti peng fillimin e bisedimeve për aderim në BE jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por bashkë me të edhe për Shqipërinë.

Propozimi Francez që ngjalli aq shumë debat dhe pasiguri në vend ishte ai që mundësoi që procesi i skriningut të fillojë. Në bazë të atij propozimi së shpejti duhet të fillojmë të punojmë edhe në ndryshimet kushtetuese për ta akomoduar edhe etnitetin bullgar në Kushtetutë. Aq shumë histeri u ngrit për këtë punë sa që gjithçka ngjan si një deja vu nga koha e 2001 kur pikërisht ata që histerizojnë tani për bullgarët atëherë mbillnin frikë se ndryshimet kushtetuese lidhur me Marrëveshjen e Ohrit do të jenë goditja përfundimtare dhe shkatërruese për shtetin. Ja që shteti nuk u shkatërrua por filloi bisedimet me BE-në.

Marrëveshja e tretë që u lidh në vitin 2018 ishte Marrëveshja e Prespës. Pas 27 viteve konflikt me Greqinë rreth emrit të shtetit, kjo marrëveshje mundësoi që të kthehemi në rrugën e integrimit euro-atlantik, mundësoi që të bëhemi shtet anëtar i NATO-s dhe mundësoi që të vijmë deri te dita e hapjes së bisedave për aderim në UE. Kishte shumë histeri dhe një referendum edhe lidhur me këtë marrëveshje, u krijua aq shumë armiqësi dhe polarizim në popullatë sa që sërish dilemat ishin “jetë a vdekje” e megjithatë, ja ku është shteti, nuk u zhduk as nuk u shua, bile u bë më i fortë, tani që sigurinë e tij e garanton vetë NATO.

Të kishim vazhduar t’i dëgjojmë histerikët asnjëherë nuk do t’i kishim parë këto ditë por do të vazhdonim të gjallërojmë të izoluar, të fyer dhe të poshtëruar. Histerikët nuk duhet t’i dëgjojmë as tani kur këto procese të rëndësishme kanë filluar. Mjafton të shohim se çfarë po ndodh në Rusi gjatë kësaj periudhe, kur Putin kërcënohet me luftë nukleare në gjithë botën dhe kur shpall që do të dërgojë 300.000 trupa të reja në Ukrainë. Ajo që po ndodh është një largim masiv nga Rusia i të gjithë atyre që kanë viza Shengen, ato viza që i jep Unioni Evropian, e të cilat, përmes procesit të liberalizimit te ne ka kohë që i ka hequr.

Mjafton të vërejmë që të gjithë ata histerikët që flasin për atë se si Maqedonia e Veriut duhet ta mbrojë me çdo kusht identitetin dhe t’i refuzojë marrëveshjet ndërkombëtare që tani më i ka nënshkruar dhe i ka ratifikuar, flasin nga komoditeti i vendeve të Evropës perëndimore. Nuk njoh qytetarë të vendit tonë që kanë emigruar në Rusi, të paktën jo në ato numra të cilët kanë emigruar për të jetuar në UE. Prandaj, është koha të kuptojmë që histeria që përhapet lidhur me këto çështje nuk është gjë tjetër veçse hipokrizi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button