Osmani në takimin me Stoltenberg ka thënë se anëtarësimi në NATO është qëllim strategjik i Kosovës

Në një takim me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës, shkruan REL, transmeton Portalb.mk. 

Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.

Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Përndryshe, sfidat e integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian mbeten akoma të mëdha, për shkak të kritereve që duhet të plotësojë, si dhe qasjes neutrale të NATO-s ndaj Republikës së Kosovës. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button