fbpx

Referendumet ruse në Ukrainë, të papranueshme për perëndimin

Ambasadorja amerikane në Kiev Bridget Brink tha sot se referendumet false dhe thirrjet për mobilizim të pjesshëm nga ana e Moskës, janë shenja dobësia nga ana e saj, raporton VOA. Reagimi i zonjës Brink vjen ndërsa rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore, njoftuan planet për zhvillimin të referendumeve për t’u bërë pjesë e Rusisë. Referendumet, që pritet të mbahen në rajonet Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Donetsk, nisin të premten më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri të hënën më 27 shtator.

Ambasadorja Brink tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë pretendimin e Rusisë ndaj territorit të aneksuar të Ukrainës dhe do të vazhdojnë të mbështesin Kievin për aq kohë sa të duhet.

Në të njëjtën linjë me Uashingtonin u shpreh edhe zëdhënësi i kancelarit gjerman, duke thënë se referendumet e rreme nuk do të njiheshin kurrë.

Planet për mbajtjen e referendumeve vijnë pasi një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, i cilësoi ato të nevojshme në kushtet kur Moska po humbet terren në luftime. Kjo ka rritur trysninë ndaj Kremlinit për një përgjigje të ashpër. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet. Vetëm rreth 60% e rajonit të Donetskut është aktualisht në duart e Rusisë,

Ish-presidenti Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se referendumet, që do të bashkojnë këto rajone me Rusinë, do t’i bënin kufijtë “të pakthyeshëm” dhe do t’i mundësonin Moskës të përdorte “çdo mjet” për t’i mbrojtur ato.

I pyetur mbi këtë çështje ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se prej fillimit të operacionit Moska ka thënë se popullata e këtyre territoreve duhet të vendosë vetë për fatin e saj dhe se situata aktuale, siç tha ai, e konfirmon një gjë të tillë. Në një reagim mbi këtë çështje Presidenti francez Emmanuel Macron i quajti planet e Rusisë për referendum, “një parodi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button