David Geer: Procesi i skriningut RMV-BE zhvillohet në mënyrë pozitive

Procesi i skriningut, i cili filloi më 15 shtator me Komisionin Evropian, po ecën pozitivisht me angazhim të madh të delegacionit të Republikës së Maqedonisë dhe është një proces i gjatë që kërkon përfshirjen e të gjitha ministrive, deklaroi sot shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, David Geer, transmeton Portalb.mk.

“Procesi i skriningut ka nisur më 15 shtator. Është një delegacion i madh nga Republika e Maqedonisë, i cili ndodhet në Bruksel. Kuptohet se procesi është nisur nga Komisioni Evropian me shpjegime në lidhje me standardet dhe kërkesat që duhet të përmbushë vendi juaj për t’u bërë anëtar i BE-së, ndaj gjithçka po ecën pozitivisht. Ka vërtet angazhim të madh dhe përfshirje të madhe nga delegacioni i Republikës së Maqedonisë”, tha Gir në Tetovë ku mori pjesë në fillimin e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Përmirësimi i kapaciteteve për Natura 2000 dhe CITES”.

Euroambasadori vlerësoi se ka një partneritet të madh gjatë skriningut, por theksoi se është një proces i gjatë që kërkon shumë punë dhe shumë angazhim nga të gjitha ministritë e vendit, në mënyrë që sa shpejt të vijë koha kur edhe Ministria për mejdisit jetësor dhe planifikim hapësinor do të duhet të përfshihet.

Ai sqaroi se skriningu fillon me të ashtuquajturat “Themelet” ose “Vlerat Themelore” të BE-së, të cilat mbulojnë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, reformat e administratës publike dhe menaxhimin e financave publike.

“Të gjitha fushat e tjera janë të përfshira në këtë proces të skriningut sepse bëhet fjalë për 33 kapituj që duhet të negociohen. Pra, praktikisht po flasim për të gjithë kapitujt që kanë të bëjnë me anëtarësimin e vendit tuaj”, shtoi ambasadori evropian.

Skriningu do të përbëhet nga dy nënfaza, gjegjësisht procese. Njëri është një skriningu shpjegues. Pas përfundimit të pjesës shpjeguese të skriningut për grupin e parë të negociatave me BE-në deri më 27 të këtij muaji, në periudhën nga 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do të bëhet skriningu bilateral, gjegjësisht proces në të cilin Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi maqedonas do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Ndryshe, nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE mbahen takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha. Të gjitha këto takime zhvillohen në Bruksel, përveç takimit për kapitullin e Statistikat që u mbajt në Luksemburg.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button