Justicia që ndan ndere

Justicia është hyjnesha romake e drejtësisë dhe e mishërimit të vlerave morale. Ajo është përfytyruar si një grua symbyllur, e cila në njërën dorë e mban peshoren dhe në tjetrën shpatën. Figurativisht, me peshore i peshon veprat e mira dhe të këqija, kurse shpata e simbolizon vendimin e arsyeshëm dhe të drejtë kundrejt të akuzuarit. Pasi është symbyllur, ajo nuk e sheh të akuzuarin. Bazohet vetëm te ligji. Pra, është e pandikuar nga faktorët e jashtëm. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë njerëzit, pavarësisht statusit shoqëror.

Çështja e së drejtës, pra, është trajtuar që në lashtësi. Eskili tha se e drejta nuk mund t’u takonte dy palëve të kundërta. Nga lashtësia e kemi edhe të drejtën romake.

Historia dëshmon se që atëherë gjykatësit, në vend të drejtësisë, ndanin ndere, siç tha Sokrati, i cili u dënua nga një sistem i korruptuar. Gjykatat kanë dënuar shumë njerëz të ndershëm. Gabimisht ose qëllimisht. Gjordano Bruno u dogj në turrë të drunjve, ani që drejta ishte në anën e tij. Virata ndjeu se gjyqtari nuk mund të ndante drejtësi nga zyra, prandaj zbriti si i maskuar në burgun më të tmerrshëm për t’i parë të dënuarit e tij. Aty e kuptoi se kishte marrë vendime të gabuara; se nuk ishte engjëlli, siç e mendonin shumica e njerëzve. Për shkak të brerjes së ndërgjegjes, ai më nuk ndau drejtësi dhe iu përkushtua lutjeve…

Aty ku gjykatat janë të korruptuara dhe nën kontrollin e prijësve ose të politikës, njerëzit e ndershëm dergjen burgjeve.

Kur filozofi Ralph Emerson-i e vizitoi Henry David Thoreau-n në burg, që t’ia shprehte keqardhjen për dënimin e padrejtë, i dyti ia ktheu: “Më vjen keq që nuk je këtu”. Sipas Thoreau-t, ata që i kundërviheshin sistemit të gënjeshtërt shtetëror ishin në burg, kurse heshtakët ishin të lirë.

Gjykatësit e dënuan Mandelën, Demaçin dhe shumë të tjerë, edhe pse e drejta ishte në anën e të dënuarve.

Peshorja e Justicisë shpesh çekuilibrohet. Justicia tani i sheh të akuzuarit. I dënon ose i amniston varësisht se si e urdhërojnë prej jashtë gjykatës. Prandaj kemi fajtorë që bëjnë jetë normale dhe të pafajshëm që dergjen burgjeve.

Gjyqet ta kujtojnë Procesin e Franc Kafkës. Jozef K. arrestohet nga disa të panjohur. Ngjarjet ndodhin në shekullin XX, por në hapësirë të papërcaktuar gjeografike dhe në sistem të papërcaktuar kulturor. Kjo papërcaktueshmëri është veçanti e veprës së Kafkës, kurse mesazhet janë universale dhe vlejnë për çdo kohë, për çdo hapësirë gjeografike dhe për çdo sistem kulturor.

Studiuesit e kanë lodhur kokën duke i kërkuar shkaqet e arrestimit të personazhit, i cili përfundon tragjikisht duke e shqiptuar fjalinë: “Si qen”. Përgjigja përfundimtare mungon, sepse veprat e mëdha artistike përftojnë interpretime të pafundme. Një gjë dihet: se kjo vepër i flet secilës kohë. Ajo i flet edhe kohës sonë, ku gjykatat ndajnë ndere dhe kur, siç thotë një shkrimtar, më të rrezikuar janë ata që nuk e shkelin ligjin. Aty ku as 10 për qind e qytetarëve nuk i besojnë gjykatës nuk mund të ketë të ardhme të ndritur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button