fbpx

Kini kujdes, ju incizojmë!

Në hyrje të shumicës së objekteve afariste apo zyrtare (supermarkete, dyqane, zyra etj.), mund të vërejmë njoftime për kryerje të video vëzhgimit, përkatësisht shenja të llojit “Kujdes!” Ky objekt është nën video vëzhgim”. Mund të supozojmë se këto mbishkrime vendosen si një lloj kërcënimi për të gjithë shkelësit e mundshëm të rregullave të atyre objekteve afariste (si vjedhja, dëmtimi i mallit, prekja e të gjithë mallit me qëllim të “inspektimit” të cilësisë së tij etj.). Por, megjithatë sistemi i video vëzhgimit na incizon të gjithë ne që hyjmë në ato objekte për të kryer ndonjë obligim. Çfarë ndodh me ato incizime, përkatësisht çfarë ndodh me të dhënat tona personale në rastet kur “shkelja” jonë e vetme është të bëjmë grimasa para kamerave për të parë se si dukemi në ekranet e vendosura nëpër supermarket?

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale (LMDHP) ka përfshirë edhe video vëzhgim, sepse, përmes video vëzhgimit bëhet përpunimi i të dhënave tona personale, në rastin e të dhënave tona biometrike.

Kryerja e video vëzhgimit, përkatësisht instalimi i sistemit të video vëzhgimit në objekte afariste ose zyrtare lejohet në katër raste: për mbrojtjen e jetës ose shëndetit të njerëzve, për mbrojtjen e pronës, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të punësuarve për shkak të natyrës së punës ose për të siguruar kontroll mbi hyrjen dhe daljen nga ambientet zyrtare ose afariste vetëm për qëllime sigurie.

Subjekti i cili instalon sistem të video vëzhgimit, fillimisht duhet doemos të bëjë analizë të nevojës për video vëzhgim, si dhe qëllimeve për të cilat është instaluar sistem i tillë dhe duhet doemos të dëshmojë se njëri prej qëllimeve të lartpërmendura është përmbushur dhe se nuk ekziston alternativë më të mirë për përmbushjen e tyre (p.sh. angazhimi i sigurimit fizik, instalimi i alarmit, etj.). Gjithashtu, subjekti duhet doemos ta rregullojë këtë analizë në një akt të veçantë, ku do të shpjegojë edhe për çfarë qëllimesh do të përdoren të dhënat personale të mbledhura përmes sistemit të video vëzhgimit dhe të përcaktojë periudhën gjatë së cilës do të ruhen incizimet, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 30 ditë, me përjashtim të rasteve të veçanta të përcaktuara me ligj. Më pas, subjekti duhet detyrimisht të njoftojë se është duke u kryer video vëzhgim, si dhe informacione kontakti në mënyrë që subjektet e video vëzhgimit të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre të garantuara sipas LMDHP.

Gjegjësisht, në shembullin tonë, nëse duam t’i fshijmë pamjet ku bëjmë grimasa në kamerat në supermarket, fillimisht duhet të kontaktojmë zyrtarin e mbrojtjes së të dhënave personale ose personin përgjegjës për sistemin e video vëzhgimit dhe të informohemi për qëllimet e video vëzhgimit dhe për afatin e caktuar për ruajtjen e incizimeve. Pastaj, mund t’i kërkojmë personit përgjegjës që t’i fshijë incizimet. Mirëpo, në rast se subjekti nuk vepron sipas kërkesës sonë të paraqitur, mund të paraqesim kërkesë në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Agjencia shqyrton kërkesën dhe, nëse konstatohet shkelje e të drejtave në kuptim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ajo do ta udhëzojë subjektin të veprojë sipas kërkesës sonë, përkatësisht në këtë shembull, t’i fshijë incizimet.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ndalon kryerje të video vëzhgimit në gardëroba, dhomat e veshjes, nyjat sanitare dhe ambientet tjera të ngjashme.

Gjithashtu, kryerja e video vëzhgimit, përkatësisht instalimi i sistemit për video vëzhgim mund të kryhet edhe për nevojat e kryerjes së aktiviteteve në shtëpi ose në objekte njëbanesore ose shumëbanesore. Në rast të kryerjes së aktiviteteve në shtëpi, nuk zbatohet ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht nuk vlejnë rregullat dhe procedurat e njëjta të cilat i përmendëm më lartë, përderisa video vëzhgimi e përfshin vetëm pronësinë tonë (p.sh., banesa jonë, oborri, garazhi etj.), por jo edhe sipërfaqet publike (p.sh., rruga para shtëpisë sonë) ose pronësinë e huaj (p.sh. oborri i fqinjit).

Në lidhje me objektet shumëbanesore, për instalimin e sistemit për video vëzhgim, nevojitet pëlqim së paku nga 70% e banorëve të objektit (pronarë, përkatësisht qiraxhinj). Si dhe në rastet tjera, video vëzhgim mund të kryhet vetëm për qëllimet për të cilat është instaluar sistemi, përkatësisht, nëse me instalimin e kamerave në ndërtesën e sigurojmë pronën, kamerat duhet të jenë të drejtuara kah hyrja e banesës sonë, e nëse dëshirojmë ta kontrollojmë hyrjen dhe daljen nga ndërtesa për qëllime sigurie dhe instalojmë kamera në korridorin e ndërtesës, ato duhet të jenë të drejtuara kah dera hyrëse e ndërtesës. Në shumicën e objekteve, ndalohet incizimi i hyrjeve të banesave individuale të banorëve tjerë në ndërtesën, sepse nuk është i arsyeshëm qëllimi për instalimin e sistemit për video vëzhgim. Gjithashtu, njoftohen detyrimisht të gjithë banorët tjerë për fillimin e funksionimit të sistemit për video vëzhgim. Nëse konsiderojmë se fqinji nuk u përmbahet këtyre rregullave, përkatësisht kërkesave ligjore gjatë kryerjes së video vëzhgimit, mund të dërgojmë kërkesë në Agjencinë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, njëjtë siç vlen edhe për objektet afariste dhe zyrtare.

Në kohën moderne, mund të thuhet se jemi nën video vëzhgim nga momenti kur e lëshojmë shtëpinë tonë. A do të gjendemi në incizimet e fqinjit tonë, objekteve afariste, kamerave rrugore, të supermarketeve ose dyqaneve, me rëndësi është të dimë se për të gjithë vlejnë dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht askush nuk guxon që në mënyrë të pabazë dhe pa dijeni t’i përpunojë të dhënat tona biometrike.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet  e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button