RMV, gjyqtarët dhe avokatët i “rrjepin” palët, aktvendimet ndaj njerëzve të pushtetshëm arrihen shumë ngadalë

Gjyqtarja Meri Radevska nga Këshilli Gjyqësor ka trajtuar me shumë saktësi mënyrat e realizimit të korrupsionit nga ana e gjyqtarëve dhe përse besimi i ulët i qytetarëve prej vetëm 8 për qind në gjyqësor, është i arsyeshëm, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Korrupsioni nëpërmjet ndërmjetësve kryhet nga gjyqtarë të caktuar, fëmijët e të cilëve apo të afërm të tjerë të afërt janë avokatë ose janë të punësuar në studio ligjore, të cilat veprojnë në lëndët që i trajton gjyqtari. Veç kësaj, rrezik për korrupsion ka edhe te gjyqtarët, fëmijët e të cilëve ose të afërm të tjerë, avokatë të afërt punojnë në të njëjtin qark me gjyqtarin dhe në të njëjtën fushë ku vepron gjyqtari. Këtu gjyqtari kryen punë juridike: jep këshilla, përgatit padi, ankesa, parashtresa të ndryshme dhe jashtë kompetencave të tij angazhohet në zgjidhjen e rasteve të kolegëve të tij me ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë”, filloi të numërojë Radevska mënyrat se si gjyqtarët lëshohen në korrupsion, në mënyrë të padukshme, të tërthortë.

Por, nga prezantimi i saj u pa se Këshilli Gjyqësor ka përcaktuar edhe se si gjyqtarët korruptohen drejtpërdrejt, pa ndërmjetës.

Gjyqtarët të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me palën marrin ryshfet. Gjyqtarët të cilët janë të afërt me avokatët, me vetëdije u lejojnë avokatëve ta përdorin miqësinë e ngushtë me ta për t’u dhënë përshtypjen palëve se ata kanë lidhje që mund t’u ndihmojnë që gjyqtari të vendosë në favor të tyre. Për këtë lidhje me gjyqtarin avokatët arkëtojnë “trash”, ndërsa paratë ndahen ndërmjet avokatit dhe gjyqtarit ose gjyqtarit i paguhet një lloj kompensimi si pushime, dhurata të shtrenjta etj., vazhdoi të renditë shembuj Radevska.

Ka gjyqtarë që veprojnë përmes administratës së gjykatës. Këto marrëdhënie funksionojnë njësoj si me avokatët “e afërt” me gjyqtarin, por këtu në vend të avokatit shfaqet ndonjë nëpunës i gjykatës, i cili për dëmshpërblim si i afërt me gjyqtarin negocion dhe merret vesh me palët.

“Administrata e gjykatës paraqitet si faktor në aktgjykim, se janë të afërt me gjyqtarë të caktuar, ndaj për një shpërblim që pala mendon se i jepet gjyqtarit, premtojnë se do të avokojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në favor të po asaj pale dhe ata të cilët për një shpërblim të vogël në të holla, ushqim apo dhuratë të vogël, ndikojnë që disa të drejta të palëve të realizohen më shpejt, të tjerat të mos mund të realizohen, disa aktgjykime ndonëse janë përfundimtare dhe të plotfuqishme, të mos ekzekutohen dhe të vjetrohen etj.”, vazhdoi Radevska të rendit shembuj tronditës të llojeve të korrupsionit në gjyqësor, derisa qytetari pret drejtësi.

Korrupsion është edhe kur avokatët në gjyqësorin tonë i përdorin gjyqtarët për përfitime më të mëdha.

“Ka raste që gjyqtari përdoret për të nxjerrë më shumë para nga pala, shumë më tepër se tarifa e avokatit. Në raste të tilla, pala është e bindur se avokati i merr paratë me kërkesë të gjyqtarit për t’ia dhënë, megjithëse ato në të vërtetë përfundojnë te avokati dhe gjyqtari as nuk e di që emri dhe autoriteti është përdorur për qëllime të tilla. Rezultati përfundimtar është mosbesimi ndaj gjyqësorit dhe bindje e madhe se gjyqtari është i korruptuar dhe se paratë janë mënyra e vetme për të përfunduar ndonjë çështje në favorin e dikujt, edhe pse ndoshta në atë rast as nuk ka mund të merrej ndonjë vendim tjetër”, ka konkluduar Këshilli Gjyqësor.

Radevska iu referua edhe mënyrës se si korrupsioni në mesin e prokurorëve publikë, përmes të ashtuquajturit gjymtim i vetëdijshëm i aktakuzës që në fillim, bën që gjyqtari ta lirojë të akuzuarin.

“Korrupsioni në mesin e prokurorëve publik ndikon në perceptimin e korrupsionit në gjyqësor. Prokurori i cili për shkak të korrupsionit parashtron një aktakuzë, në dukje, e përmbush detyrimin e tij, ndërsa nëse shikohet në aspekt profesional, është aktakuzë për të cilën nuk ka mundësi të sillet aktgjykim dënues dhe kur në fund sillet aktvendim i tillë, të gjitha kritikat shkojnë për gjyqtarin dhe gjyqësorin, ndërkohë që askush nuk e përmend përgjegjësinë e prokurorit. Kontrolli i asaj pjese të gjyqësorit është pothuajse i padukshëm”, kritikoi ajo në prani të prokurorit të shtetit Lubomir Joveski.

Korrupsion në gjyqësor është edhe fakti që gjykimet dhe aktvendimet ndaj ish-zyrtarëve dhe atyre aktualë, si dhe njerëzve që kanë shumë para e kapital nuk merren me kohë dhe tejzgjaten, ndërsa dënimet për ta janë të lehta, ndryshe nga qytetarët e thjeshtë.

Në rastin “Trajektorja” për autostradat kineze, të cilin gjyqtari e caktonte një herë në muaj për ta zvarritur, lënda penale e Nikolla Gruevskit u vjetrua. Shumë nga gjykimet për çështjet e korrupsionit të lartë u kthyen disa herë në fillim, për shkak se kanë kaluar 90 ditë pa mbajtur seanca gjyqësore.

Aktualisht, Gjykata e Apelit në Shkup, pas më shumë se një viti nga aktgjykimet e shkallës së parë, nuk ka vendosur ende për lëndët “Fortesa-Target” dhe “Thesari”. Seanca, në Gjykatën e Apelit në Shkup, për organizatorët e sulmit dhe dhunës së 27 prillit 2017, në të cilën Trajko Veljanoski, Spire Ristevski, Mile Janakieski dhe Vladimir Atanasovski kohë më parë u dënuan, është caktuar për në tetor. Rasti “Transportuesi” me 30 të pandehur në shkallë të parë ka përfunduar për një vit, ndërsa ka mbi dy vite që qëndron në Apel pa zgjidhje.

Këshilli Gjyqësor vlerëson se edhe qytetarët kanë një perceptim të korrupsionit në gjyqësor për shkak të paprekshmërisë së tij, gjegjësisht për shkak të mos fillimit të procedurave për shpërdorim të pozitës apo konflikt interesash nga gjyqtarët. Procesi gjyqësor kundër gjyqtarit të akuzuar Zoran Teofilloski shtyhej me muaj dhe nuk fillonte në Gjykatën Themelore Penale Shkup, prandaj edhe gazetarët humbën çdo interes për atë proces.

Këshilli Gjyqësor sot e prezantoi Planin e Veprimit se si të trajtohen të gjitha këto forma të korrupsionit në gjyqësor, problem ky që nëse nuk zgjidhet do ta lërë Maqedoninë në baltë edhe për shumë vite të tjera dhe emigracion masiv në vendet e tjera ku ka sundim të ligjit dhe të drejtës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button