Kërkohet pasues i Ruskovskës: Këshilli i prokurorëve publikoi shpallje për shef të ri të PNKOK

Këshilli i Prokurorëve Publik sot ka publikuar shpalljen për kryetar të ri të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Publikimi i shpalljes është në prag të skadimit të mandatit të shefes së deritanishme Vilma Ruskovska, i cili përfundon në nëntor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, mund të aplikojnë kandidatët të cilët kanë përvojë të pandërprerë pune prej gjashtë vitesh si prokuror publik, deri në momentin e publikimit të shpalljes dhe kandidatët të cilët janë vlerësuar me nota pozitive për tri vitet e fundit.

Afati i aplikimit është 15 ditë, ndërsa kushtet e tjera që duhet t’i plotësojë secili kandidat janë:

  • Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • Të zotërojë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase;
  • Të ketë aftësi punuese;
  • Të ketë përfunduar studimet juridike me 300 ECTS ose diplomë të nivelit VII/1 të arsimit në fushën e shkencave juridike ose diplomë të nostrifikuar nga studimet juridike jashtë vendit për 300 kredi të fituara;
  • Të ketë dhënë provimin e jurisprudencës në Republikën e Maqedonisë të Veriut.

Sipas ligjit të ri të vitit 2020, kreu i ri i PThP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit do të zgjidhet për herë të parë me votën e të gjithë prokurorëve në vend. Ky votim është caktuar për më 31 tetor.

Pas përfundimit të afatit për regjistrimin e kandidatëve, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të duhet të formojë Komisionin për zbatimin e votimit. Pas ditës së votimit, Këshilli ka afat prej shtatë ditësh të emërojë kandidatin që ka fituar më shumë vota për kreun e ri e PThP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shefja aktuale e PThP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është nën suspendim, vendim i marrë nga prokurori republikan Lubomir Joveski. Pezullimi i saj erdhi pasi ndaj saj nisi procedimi disiplinor dhe u bë kallëzim penal në lidhje me kontrollin e kryer në Drejtorinë e Policisë Financiare më 18 korrik. Ruskovska ka parashtruar ankesë për suspendimin, por Këshilli i Prokurorëve Publikë e ka refuzuar si të pabazë, përkatësisht e ka konfirmuar pezullimin.

Si shefe e përkohshme derisa zgjat pezullimi, në fund të gushtut u emërua prokurori Trajçe Pelivanov.

Në muajin gusht, në opinion bëri bujë përplasja mes prokurores së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska dhe kreut të Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Të dy palët në kumtesat dhe deklarimet publike akuzonin njëri-tjetrin për ndërhyrje të paligjshme dhe presion.

Pas bastisjes që u krye më 18 korrik nga prokurorët e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Administratën e Policisë Financiare, Muaremi ngriti padi penale kundër Ruskovskës dhe prokurorëve Trajçeva dhe Josifovska.

Me reagim publik drejtuar ndërkombëtarëve doli Ruskoska e cila u ankua se po i bëhet presion. Nga ana tjetër, krye-prokurori Joveski dhe Shoqata e prokurorëve dolën kundër saj duke thënë se janë shkelur procedurat, ndërsa SHBA dhe BE thanë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga organet vendore dhe ata nuk mund të ndihmojnë Ruskoskën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button