fbpx

Kriza energjetike ndez dritën e kuqe për rritje të ndotjes së ajrit edhe në Tetovë, alarmojnë ambientalistët (Infografik)

Rritja e kostos së energjisë elektrike, sipas ambientalistëve është e barabartë me rritjen e ndotjes së ajrit dhe mjedisit, sidomos gjatë dimrit. Situata e krijuar pritet të ketë ndikim negativ edhe në Tetovë dhe rrethinë, ku ajri gjatë kësaj stine është shumë i ndotur, tani e shumë vite. Ministria e Mjedisit përgjegjësinë për ajrin thotë se e ndan me Komunën. Kjo e fundit pa përgjigje konkrete si do të menaxhohet cilësia e ajrit këtë vit, shkruan Portalb.mk.

Tetova dhe jo vetëm, vite me radhë gjendet në krye të listave botërore ndër qytetet me ajrin më të ndotur.

Ambientalistët ngrenë alarmin se kjo krizë energjetike do komplikojë më shumë gjendjen me ajrin e ndotur.

Nga lëvizja mjedisore “Nëna dhe Fëmija” thonë se amvisëritë ose bizneset në pamundësi që të përballojnë problemet financiare do të orientohen nga përdorimi i energjive tjera alternative për ngrohje si druri, qymyri, nafta, madje ata thonë se në rastet e rënda sociale që për ngrohje shfrytëzohen edhe vajra të djegura, goma, mbetjet e plastifikuara nga prodhimi i mobiljeve si dhe vet mbetjet plastike, të gjithë këto janë të kategorizuara si ndotës të mëdhenj të ajrit.

“Vazhdojmë të mbetemi në qëndrimin që ndotësit kolektiv si fabrikat (qofshin ata me leje të integruar A ose B), objektet e mëdha publike, objektet afariste janë ndotësit më të mëdhenj në rajon, prandaj dhe ndërhyrjet duhet të fillojnë pikërisht nga ata edhe pse lista e ndotësve po ashtu edhe lista e masave është shumë e gjatë. Vite me radhë flitet për masa afatgjate, afatmesme dhe afat-shkurte, por fatkeqësisht zbatimi I tyre në jetën e përditshme është tejet i ngadalshëm. Për t’u zbatuar të gjitha obligimet ligjore inspektorati duhet të jetë në teren 24/7, por fatkeqësisht edhe numri i inspektorëve të kualifikuar është i vogël. Mos të anashkalojmë edhe rëndësinë e kampanjave për vetëdijesim jo vetëm për ndikim negativ të ndotjes në shëndetin e njeriut por edhe për nevojën për kursim të rrymës elektrike”, thonë nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”.

Ajri i ndotur në Tetovë, foto arkv

Sipas organizatës ekologjike “Eco Guerila” përdorimi i energjisë elektrike për një vend si Maqedonia e Veriut është luks, dhe jo vetëm tani në kohën e krizës energjetike por prej më herët.

“Fokusi do duhej të jetë në energjitë alternative apo të rinovueshme. Për fat të keq qeveritë nuk arritën të krijojnë kushte për këtë, qoftë nga paaftësia qoftë nga mbrojtja e interesave të monopoleve në sektorin energjetik. Me këtë krizë do të detyrohemi që të përdoren të gjitha resurset për të pasur ngrohje, duke anashkaluar edhe pasojat që do kemi në ndotjen e ajrit. Ndoshta kjo krizë energjetike do jetë shkas që pushteti qendror dhe ai lokal të nxjerr mësim dhe t’i përshpejtojnë projektet që mos shkaktohet kjo edhe në një krizë sociale”, thanë nga “Eco Guerila”.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) thotë se mbetet e përcaktuar në drejtimin dhe politikat e përgjithshme për përballimin e ndotjes së ajrit si: veprimi në burimin e ndotjes, avancimi i rregullores ligjore që lehtëson ndërhyrjen, masat në rast të tejkalimit të vlerave kufitare të substancave ndotëse dhe forcimi i kontrolleve inspektuese. Përgjegjësinë e hedhin edhe te komunat për cilësinë e ajrit.

“Komuna dhe shërbimet komunale inspektuese kanë kompetenca specifike në lidhje me cilësinë e ajrit, në përputhje me Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit dhe Planin për përmirësimin e cilësisë së ajrit të Komunës së Tetovës, i cili është hartuar me mbështetjen e Ministrisë Mjedisit”, thonë nga kjo Ministri duke apeluar që të respektohen masat e vendosura nga Qeveria dhe rregulloret ligjore.

Gjithashtu theksojnë se me Ligjin e ri për Mbikëqyrjen Inspektuese është bërë i mundur funksionimi më i lehtë i shërbimeve inspektuese në nivel kombëtar dhe lokal, por siç thonë, qëllimi është para së gjithash që të veprohet në respektimin e standardeve të përcaktuara dhe jo të sanksionohen ato.

Komuna e Tetovës ende nuk ka përgjigje se si do të përballet me ndotjen e ajrit këtë vit e cila si pasojë e krizës energjetike mund të jetë e përmasave shqetësuese.

Kujtojmë që në dhjetë vitet e kaluara, Tetova ka tejkaluar vlerën mesataren e lejuar të grimcave të dëmshme PM 10, e cila nëse është mbi 50 mikrogramë për metër kub, llogaritet se ndotja është e ajrit është mbi mesataren. Konkretisht. vlera mesatare e PM 10 nuk mund të kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit.

Mesataret vjetore në këto dhjetë vite përjashtuar vitin 2019, çdo vit kanë qenë mbi vlerën e lejuar.

Gjatë muajve të vjeshtës-dimrit këto shifra janë shumë më të larta se 50. Për shembull, këtë vit në janar mesatarja e PM 10 ishte 83.75 μg/m3, në shkurt 72.03 μg/m3 dhe në mars 58.47 μg/m3.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i vitit të klauar i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në RMV do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Ditë më parë nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button