Pacta sunt servanda

Kryeparlamentari Talat Xhaferi sërish u sulmua ashpër nga opozita por edhe nga ekspertë të ndryshëm me akuza se e ka shkelur Kushtetutën me faktin që nuk lejoi të kalojë inicijativa për referendum e ngritur nga VMRO-DPMNE me të cilën kërkohet që të anulohet Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Ata më histerikët thanë që me këtë veprim Xhaferi e përmbysi demokracinë në vend sepse nuk lejoi që një çështje shumë e rëndësishme të zgjidhet me formën më demokratike të vendimmarjes, pra me referendum. Nuk bënë punë as mesazhet e matura të Ambasadorit të BE, David Geer i cili në paraqitjen e tij të fundit lidhur me referendumin tha që nuk është mirë të ketë angazhim për anulimin e marrëveshjeve të cilat janë pjesë e pakos për integrim të vendit në UE për shkak se kjo nuk zgjedh probleme por krijon probleme të reja dhe e vështirëson rrugën e integrimit. Histerikët vazhuan me tezat e tyre se pa identitet nuk na duheshka as integrimi. Gjoja se mund të mbrohet identiteti jashtë procesit të integrimeve euro-atlantike.

Kryeparlamentari Xhaferi me ndalimin e inicijativës për referendum jo vetëm që e ka mbrojtur dhe e ka zbatuar Kushtetutën e këtij vendi, por njëherit ka vepruar sipas parimeve themelore të popujve të civilizuar dhe ç’është më e rëndësishmja, ka vepruar sipas logjikës së shëndoshë që do të duhej ta karakterizojë llojin tonë homo sapiens, në vend të histerisë që me qëllim shpërndahet gjithandej.

Në të drejtën ndërkombëtare ka një princip shumë të rëndësishëm që përfshihet në sentencën latine “Pacta sunt servanda” që në përkthim do të thotë “Marrëveshjet duhet të respektohen”. E drejta ndërkombëtare ka shumë burime, mes të cilave përmenden edhe të ashtuquajturat Parime Themelore të Popujve të Civilizuar. Mes këtyre parimeve hyn mes të tjerash edhe parimi se marrëveshjet duhet të respektohen. E shihni pra, ajo që i dallon popujt e civilizuar nga qeniet tjera në natyrë është aftësia për të bërë marrëveshje dhe vullneti i mirë për ti respektuar ato. Nëse marrëveshjet që lidhen nuk do të respektoheshin atëherë vështirë se mund të flasim për një botë të civilizuar. Pra, kryeparlamentari Xhaferi ka vepruar pikërisht sipas këtij principi, pavarësisht histerizimit të pakontrolluar që e akuzon atë për një sërë shkeljesh gjoja formale.

Në bazë të këtij parimi themelor të njerëzimit përcaktohet edhe rregulli tjetër i së drejtës ndërkombëtare që përshkruan supremacinë e asaj të drejte në krahasim me të drejtën vendore. Pra, kur ka dilema se a ka përparësi e drejta vendore apo e drejta ndërkombëtare, popujt e civilizuar kanë pranuar që e drejta ndërkombëtare ka përparësi ndaj asaj vendore, dhe e drejta vendore duhet të përshtatet me të drejtën ndërkombëtare dhe jo anasjelltas. Burim i asaj të drejtë ndërkombëtare që ka përparësi janë mes tjerash edhe marrëveshjet bilaterale si kjo me Bullgarinë. Këtë e dinë të gjithë studnetët deridiplomikë në studimet e drejtësisë sepse është rregulli kryesor që mësohet që në vitin e parë, në lëndën Fillet e së drejtës. Pra kryeparlamentari Xhaferi e ka respektuar parimin e përparësisë së marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë përparësi para të drejtës vendore dhe me këtë assesi nuk ka bërë shkelje të Kushtetutës si që do të sqaroj në paragrafin në vijim.

Duke u bazuar në parimin themelor të popujve të civilizuar që përcakton se marrëveshjet duhet të respektohen dhe duke u bazuar në faktin që e drejta ndërkombëtare ku përfshihen edhe marrëveshjet bilaterale ka përparësi para të drejtës vendore, Kushtetuta e RMV në nenin 118 qartësisht përcakton si vijon: “Marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në pajtim me Kushtetutën janë pjesë e rregullimit të brendshëm juridik dhe ato nuk mund të ndryshohen me ligj”. Ky nen nuk është vendosur rastësisht në Kushtetutë, dhe i njëjti duhet të kuptohet dhe interpretohet në lidhshmëri direkte me parimet themelore të popujve të civilizuar. Paramendoni një botë ku shtetet merren vesh për diçka në aspekt ndërkombëtar dhe pastaj këto marrëveshje që ata i ratifikojnë në parlament, ua rrëzon në shtëpi populli në referendum. Në një shembull ilustrativ, një etnitet që ka vendosur të bëjë gjenocid ndaj një etniteti tjetër mund të kërkojë që me referendum ta anulojë Konventët e OKB për ndalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit dhe lirshëm të veprojë ashtu siç dëshiron!? Mendoni pak si do të duket ai realitet ku asnjë marrëveshje nuk respektohet dhe gjithkush vepron ashtu siç dëshiron. Në një botë të tillë do të vlente parimi për të cilin flet Thomas Hobs “Homo hominis lupus est” (Njeriu për njeriun është ujk). Që të mos kemi një botë të tillë njerëzit i kanë krijuar parimet e civilizimit dhe kanë vendosur të jetojnë pak më ndryshe.

Ata që thirren shumë te legaliteti dhe thonë që kryeparlamentari nuk është dashur të lëshohet në vlerësimin meritor të inicijativës për referendum, por është dashur që vetëm në aspekt formal ta vlerësojë atë dhe ta nxjerë në diskutim duhet t’i dinë mire pasojat e veprimeve të verbëra legaliste, përkundër logjkës së shëndoshë njerëzore. Të mos harrojmë që krimet më të mëdha që i njeh njeriu janë bërë pikërisht nga njerëz që janë thirrur në veprime legaliste pa u zhytur ta analizojnë arsyen dhe pasojat e veprimeve të tyre. Kryeparlamentari Xhaferi përveç që ka repsektuar legalitetin në këtë rast, ka respektuar edhe logjikën e shëndoshë sepse është absurde që ai të veprojë kundër nenit 118 të Kushtetutës që është aq i qartë sa s’bëhet. Pse do të lejonte që një inicijativë të trajtohet më tej ku është e qartë që ajo është në kundërshtim me Kushtetutën?!

Përfundimisht, është e dhimbshme të shihet se si opozozita e shfrytëzon momentin për të luajtur rolin e patriotit në një situatë senzitive, duke lujatur pamëshirshëm me ndjenjat dhe emocionet e popullit që bie pre e demagogjisë së tyre. Në fakt, opozita duhet të jetë shumë e lumtur me faktin që të gjitha çështjet e vështira në këtë shtet i zgjodhën pikërisht kundërshtarët e tyre. Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, e një sërë të veprimeve shtetformuese e me pasoja të rënda politike i zgjodhën pikërisht ata që janë tani në pushtet. Në një botë demokratike, konstelacionet e pushtetit ndryshojnë pas një ose disa mandateve dhe do të vijë dita sërish kur opozita e tashme që kërkon kaq flaktë referendumin tani, të jetë në pushtet. Sa i lehtë do të jetë ai pushtet për ata atëherë, kur të gjitha çështjet e ndjeshme tani më janë zgjedhur! E pyes veten a do të kërkojë atëherë kjo opozitë që të bëhen referendume për t’i anuluar marrëveshjet që këtij shteti i kanë siguruar ardhmëri Evropiane?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button