Kryetari i Kuvendit Xhaferi duhet të deklarohet për nismën e referendumit të VMRO-DPMNE-së

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot pritet të shqyrtojë iniciativën e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Nga kabineti i Xhaferit, informacionet zyrtare janë se ai sot do të jetë në punë dhe se do të njoftojnë për vendimin e tij për iniciativën. Nëse merr dritë jeshile, atëherë duhet t’ia përcjellë Komisionit juridiko-ligjvënës dhe Komisionit amë, dhe ata duhet të deklarojnë korrektësinë e saj në afar prej dy ditëve pune, sipas nenit 191 paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është në rregull, për këtë e njofton propozuesin e autorizuar, në rastin e VMRO-DPMNE-së, në afat prej tri ditësh nga marrja e mendimit nga trupat punues. Në bazë të nenit 192 paragrafi 2, nëse Kryetari i Kuvendit konstaton se iniciativa është e çrregullt, çështja lidhur me iniciativën vendoset në rendin e ditës të seancës së parë pasuese. Kuvendi vendos me konkluzion nëse iniciativa është e rregullt. Kryetari i Kuvendit në afat prej tri ditësh e njofton propozuesin e autorizuar për konkluzionin e Kuvendit. Kjo parashikohet në Rregulloren e Kuvendit. Tashmë në opinion janë shfaqur informacione se me gjasë Xhaferi nuk do ta pranojë nismën dhe akuzat nga opozita se pas saj do të qëndrojnë partitë në pushtet.

Në opinion kanë dalë informacione se skenari është i sigurt – iniciativa e VMRO-DPMNE-së për referendum do të vlerësohet si e parregullt. Baza për një konkluzion të tillë, sipas deputetëve anonimë të shumicës qeverisëse, është se iniciativa i drejtohet “Kryetarit të Kuvendit”, me çka shmanget përdorimi i emrit kushtetues të shtetit, pra nuk thuhet se është kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dje, duke iu përgjigjur pyetjes për procedurën për dorëzimin e iniciativës në Kuvend, tha se nëse e konsiderojnë pengesë, do ta korrigjojnë.

“Mund të gjejnë justifikime sa të duan dhe ta shtyjnë punën. Për ne ka rëndësi thelbi, jo formaliteti. Dhe nëse është pengesë, ne do ta korrigjojmë atë pengesë dhe do ta dorëzojmë ashtu siç ata e vlerësojnë se duhet të kryhet, vetëm për të pasur një procedurë të suksesshme, për t’i lejuar qytetarët në mënyrë demokratike të shprehen për politikat e qeverisë në lidhje me Marrëveshjen me Republika e Bullgarisë”, theksoi Mickoski.

Mickoski në deklaratën e djeshme tha se beson në suksesin e referendumit, por theksoi se pavarësisht nga rezultati, edhe nëse ai dështon, partia në këto rrethana nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, mbrëmë deklaroi se nuk do të ketë kuptim as mbajtja e referendumit, kur pavarësisht nga rezultati, opozita VMRO-DPMNE nuk planifikon të votojë.

“Vetëm një referendum ka kuptim – na jeni për anëtarësim në BE apo jo, të gjitha pyetjet e tjera po anashkalojnë të vetmen pyetje reale,” tha Mariçiq.

Çështja e referendumit, theksoi ai, është vërtet serioze dhe më vjen keq që VMRO-DPMNE e hapi atë në atë mënyrë.

“Nuk është një përballje mes pushtetit dhe opozitës, por thjesht pse do të viheshin qytetarët në një situatë të tillë. Kujtojmë se çështja e propozuar nga VMRO-DPMNE për referendum ka të bëjë me Marrëveshjen e vitit 2017 me Bullgarinë, për të cilën, ashtu si propozimi francez në korrik të këtij viti, VMRO-DPMNE as nuk pati guximin, ndërsa kishte mundësinë që të votojë kundër. Ata nuk votuan kundër propozimit francez as atëherë në 2017 dhe as tani, por u larguan nga salla gjatë aktit të votimit”, tha Mariçiq për Top Tema në TV Telma.

VMRO-DPMNE javën e kaluar zyrtarisht ka dorëzuar në Kuvend iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve dhe fillimin e referendumit.

Nisma për referendum nënkupton fillimisht mbledhjen e jo më shumë 100 nënshtrimeve për të paraqitur nismën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dhe më pas mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve që pastaj Kuvendi të shpallë datën për daljen e qytetarëve në referendum.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se “nisma e VMRO DPMNE-së tregon dyfytyrësinë e kreut të saj, Hristian Mickovski, i cili para zyrtarëve bullgarë kishte pranuar marrëveshjen për fqinjësi të mire dhe tani del kundër saj, për çka flet për politikat e tij të paqëndrueshme”.

Ndërkohë presidenti Stevo Pendarovski tha se “nisma e VMRO DPMNE-së është kundër integrimit evropian, jo morale, antievropiane”.

Sipas Pendarovskit pyetja e referendumit nuk është “A jeni kundër Marrëveshjes me Bullgarinë?” por, “Ajo jeni kundër rrugëtimit tonë drejt BE-së?”.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve ne BE-në ka pritur 17 vjet, për shkak të kontesteve të pazgjidhura me shtetet fqinje – fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit, e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button