Do të kontrollohet nëse ka pasur shkelje të sigurisë së të dhënave personale pas hakimit të ueb faqes së MASH-it, paralajmëroi Agjencia

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) deri tani nuk ka parashtruar ende në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale  (AMDHP) njoftim për shkelje të sigurisë së të dhënave personale, pasi dy ditë më parë ueb faqja e Ministrisë ishte shënjestër e një sulmi nga një grup hakerash. Faqja e internetit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës sot nuk është ende e disponueshme për opinionin. Nga agjencia për MIA-n njoftojnë se sipas detyrës zyrtare do të hetojnë dhe kontrollojnë nëse ka pasur shkelje të sigurisë së të dhënave personale, të përpunuara në ueb faqen e MASH-it.

“Deri tani në Agjenci, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk është dërguar asnjë njoftim për shkeljen e sigurisë së të dhënave personale. Agjencia do të hetojë dhe kontrollojë sipas detyrës zyrtare nëse ka pasur shkelje të sigurisë së të dhënave personale, që përpunohen në ueb faqen e MASH-it, gjegjësisht nëse përpunimi i të dhënave personale është në përputhje me rregullat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut 42/20 dhe 294/2021”). Në varësi me situatën, Agjencia mund të iniciojë procedurë të mbikëqyrjes së jashtëzakonshme”, thuhet në informacionin që MIA e ka marrë nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në rast të shkeljes së sigurisë së të dhënave personale, siç thuhet nga Agjencia, kontrollori, në rastin konkret Ministria e Arsimit dhe Shkencës, menjëherë duhet dhe jo më vonë se 72 orë pasi ka mësuar për shkeljen, të njoftojë Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale në [email protected].

“Kur njoftimi në Agjenci nuk dorëzohet brenda 72 orëve, së bashku me njoftimin duhet paraqitur edhe një shpjegim për arsyet e vonesës”, thonë nga AMDHP.

Nëse nuk ka mundësi për të njoftuar Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale brenda 72 orëve, ata shtojnë, kontrollori mund të japë njoftimin gradualisht, pa vonesa të mëtejshme të panevojshme.

“Ky detyrim nuk zbatohet në rastet kur nuk ka gjasa që shkelja e sigurisë së të dhënave personale të rezultojë në një rrezik të madh për të drejtat dhe liritë e personave fizikë”, thonë nga Agjencia.

Ueb faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) është hakuar më 10 shtator. Në faqen e MASH-it shkruhej se ishte hakuar nga ekipi grek i hakerëve “Netwatchers”. Më pas, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me Qendrën Kombëtare CIRT për Incidentet kompjuterike pranë Agjencisë për Komunikime Elektronike, ku është raportuar rasti dhe nga ku pritet që me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të ndërmerren veprime konkrete për të gjetur vendndodhjen dhe burimin e sulmeve. Ndërkohë, shërbimi TI i MASH-it, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm, po ndërmerr veprime për forcimin e sigurisë së faqes së internetit, pas çka ajo do të aktivizohet sërish, njoftoi MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës të shtunën bëri me dije se nuk ka pse të shqetësohet për gjoja shkarkimin e disa bazave të të dhënave të qytetarëve, sepse nuk ka baza të tilla të dhënash në sfond në faqen e internetit dhe ka karakter informativ.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button