Rusia, aktive në Ballkanin Perëndimor përmes lajmeve të rrejshme

Rusia është mjaft aktive në vendet e Ballkanit Perëndimor pasi e di se në këto vende ka tensione mes grupeve të caktuara. Kështu përpiqet që t’i manipulojë këto tensione, pasi shpreson se kjo do të çojë në ndarje, në protesta dhe në luftëra thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jay Janzen, drejtor për Komunikime në Komandën aleate për operacione të NATO-s.

“Rusia është dukshëm aktive këtu dhe sërish do të them se ajo nuk e ka fokusim kryesor Ballkanin”, thotë ai.

Mirëpo, sipas tij, pasi e di se në Ballkan ka tensione mes grupeve të caktuara, ajo përpiqet që t’i keqësojë ato tensione në protesta apo dhe luftë.

Janzen thotë se Rusia nuk është aktori i vetëm këtu:

“Do theksuar se edhe Kina është aktive këtu, por në tjetër mënyrë. Ajo përpiqet që në plan afatgjatë këtu të instalojë forcën ekonomike. Me ryshfet ose me beneficione të tjera te përfaqësuesit zyrtarë përpiqet t’i realizojë qëllimet në rajon, dhe gjithsesi se këtu janë edhe disa qeveri të rajonit që synojnë të kenë ndikim në këtë pjesë”.

Ai tërheq vërejtjen, se për ta kuptur këtë rreth kompleks që përbëjnë së bashku, duhet treguar aftësi për ta kuptuar dhe për të vepruar në mënyrë aktive.

“Ajo çka mund të them është se mënyra më efektive për NATO-n ose ndonjë qeveri nacionale që të përballet me këtë situatë komplekse, është që ta fitojë besimin te njerëzit dhe të ketë narrativë të fortë për atë çka përfaqësoni, dhe përse njerëzit duhet t’ju besojnë dhe t’ju mbështesin”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori për Komunikime në Komandën aleate për operacione të NATO-s.

Nga ana tjetër, Bojan Kordallov, ekspert i mediave të reja thotë se lajmet e rrejshme nga qendrat anti-evropaine dhe anti-NATO, gjithnjë e më shumë bëhen armë e rrezikshme për lëkundjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

Fatmirësisht, me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Kordallov konsideron se shteti nuk mbetet e vetmuar në këtë luftë.

“Siguria më e mirë dhe më efikase nga lajmet e rrejshme mbetet transparenca e institucioneve. Ajo në çka duhet të fokusohen të gjitha institucionet është transparenca e plotë dhe digjitalizimi i të gjitha informacioneve që dalin nga institucionet. N ëse keni institucione që janë transparente dhe të hapura, atëherë do t ë keni dhe qytetarë që do t’u besojnë institucioneve dhe çfarëdo lajmi do ta kërkojnë në institucione dhe jo gjithandej në mediat sociale”, vlerëson Kordallov për Radion Evropa e Lirë.

Jay Janzen konsideron se Maqedonia e Veriut po tregon mjaft liderizëm në lidhje me ngritjen e kapaciteteve ushtarake edhe në aspektin informativ.

“Sinjal i dukshëm është mbajtja e kësaj konference të madhe, që është ngjarja e parë e madhe me NATO-n, të cilën Maqedonia e Veriut e udhëheq si anëtare më e re e NATO-s. Vetë fakti që ka mbi 300 ekspertë dhe praktikantë nga të gjithë partnerët dhe nga Aleanca, e drejton vëmendjen drejt këtyre çështjeve, e dinamizon debatin dhe ka ndikim në ne si Aleancë, por edhe ndaj Maqedonisë së Veriut si nikoqir”, pohon Janzen.

Ndryshe, gjatë javës që lamë pas në Shkup brenda tri ditëve (të hënë, martën dhe mërkurën) është organizuar një konferencë, në të cilën theksi është vënë në krijimin e mekanizmave frytdhënëse për t’u përballur me fenomenin e lajmeve të rrejshme, dhe për të luftuar fushatat dezinformuese, të cilat kryesisht vijnë nga qendrat, që janë kundër integrimeve evropiane dhe NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button