Ngushëllime nga qeveria, kryeministri Kovaçevski dhe presidenti Pendarovski për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i shpreh ngushëllimet më të thella Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe popullit të saj me rastin e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq dje në moshën 96-vjeçare, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria theksojnë se Mbretëresha Elizabeth II ishte një pjesë integrale e historisë moderne dhe dëshmitare e trazirave dhe transformimeve të pabesueshme sociale në 70 vitet e fundit, ndërsa mbretërimi i saj ishte dëshmitar dhe pishtar i ndritshëm në ndërgjegjësimin planetar dhe tranzicionin në sistemet demokratike në mbarë botën.

“Në të njëjtën kohë, në këto momente, i japim respekt dhe mbështetje mikut tonë shumëvjeçar, Mbretit Charles III, së bashku me Qeverinë e re të udhëhequr nga Shkëlqesia e Saj Liz Truss, me shpresën për një bashkëpunim të mëtejshëm edhe më intensiv midis kombeve mike”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Pas njoftimit për vdekjen e mbretëreshës britanike, kryeministri Dimitar Kovaçevski përmes një statusi në Facebook bëri nderime dhe shprehu ngushëllime për vdekjen e saj.

“Në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i shprehim respekt dhe mirënjohje Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabeta II. Jeta e saj e jashtëzakonshme përmes së cilës ishte konstante e ndryshimeve më të mëdha botërore është mësim dhe frymëzim. U prehtë në paqe”, thuhet në postimin e Kovaçevskit në Facebook.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski paraprakisht dje në faqen e tij në Facebook shprehu ngushëllimet për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për vdekjen e Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabeth II. Vendosmëria e saj e përjetshme për t’i shërbyer popullit, përkushtimi dhe lidershipi edhe në momentet më të vështira, do të jenë frymëzim i qëndrueshëm për gjeneratat e reja”, shkroi Pendarovski në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ndryshe, Mbretëresha më jetë-gjatë e Britanisë, Elizabeta II vdiq dje në moshën 96-vjeçare, bëri të ditur Buckingham Palace.

Familja e saj, u mblodh më herët në Pallatin  saj në Balmoral të Skocisë.

Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi për 70 vite.

Tani fronin do ta marrë djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit. Shpallja e tij mbret, pritet të ndodhë nesër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button