Pendarovski-Mattarella: Mbështetje nga Italia për politikën e zgjerimit të BE-së dhe për integrimin evropian të Maqedonisë

Presidenti Stevo Pendarovski sot me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski dhe presidenti Mattarella zhvilluan takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, aleanca në NATO dhe sfidat e sigurisë në rajon dhe në Evropë.

Presidenti Pendarovski, duke shprehur kënaqësinë për interesin tradicional dhe mbështetjen e vazhdueshme të qartë dhe të parezervë të Italisë për integrimet evropiane të Maqedonisë, tha se integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në interes të sigurisë dhe prosperitetit rajonal.

Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, presidenti Pendarovski dhe presidenti Mattarella mbajtën konferencë të përbashkët për media.

“Diskutuam për miqësinë maqedono-italiane, bashkëpunimin dypalësh, politikën e zgjerimit të BE-së, aleancën në NATO dhe sfidat e sigurisë në rajon dhe në Evropë. Kjo vizitë është konfirmim i mbështetjes së vazhdueshme të qartë dhe të parezervë nga Italia për integrimet evropiane të Maqedonisë”, tha Pendarovski.

Presidenti shtoi se në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, kanë konstatuar se bashkëpunimi ekonomik, parlamentar dhe sektorial po zhvillohet në drejtim rritës, për çka shprehën gatishmëri për thellimin e tyre të mëtejshëm.

“Gjatë bisedimeve theksova se Maqedonia e Veriut mbetet një partner i besueshëm i Unionit në ballafaqimin me sfidat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë, gjë që dëshmohet edhe nga fakti i përputhshmërisë tonë 100 për qind me politikën e përbashkët evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes së Unionit. Si aleatë në NATO, me Presidentin Mattarella, shkëmbyem mendime dhe informacione për luftën në Ukrainë dhe riafirmuam thirrjen për ndalimin e menjëhershëm të agresionit rus kundër një shteti sovran. Biseduam edhe për situatën aktuale politike dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër kërkova mbështetjen e Presidentit Mattarella në përballjen e pasojave të krizës energjetike, pra t’i jepet akses në mekanizmat dhe instrumentet e Unionit për zbutjen e efektit negativ të krizës energjetike në vendet tona”, tha Pendarovski.

Presidentët Pendarovski dhe Mattarella janë takuar deri më tani në Romë në nëntor 2019 dhe në maj 2021.

Pas takimit me Pendarovskin, Mattarella do të shkojë në Kuvend, ku do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Në kuadër të seancës formale, ai do t’i drejtohet deputetëve dhe përfaqësuesve civilë e fetarë në vend.

Në kuadër të vizitës, në kishën “Shën Spas” në Shkup, presidenti Matarela dhe presidenti Pendarovski do të vendosin kurora lulesh mbi varrin e Goce Dellçevit.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski në orët e pasditës do të takohet me presidentin Mattarella dhe delegacionin e tij. Pas një takimi me përfaqësues të komunitetit italian në vend, kreu i shtetit do të largohet nga kryeqyteti në mbrëmje.

Mattarella mbrëmë ka mbërritur për vizitë zyrtare në vend, të cilin në aeroportin e Shkupit e ka pritur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Sergio Mattarella u zgjodh President i Republikës Italiane në janar 2015 dhe u rizgjodh në atë post në shkurt 2022, me mbi 75 për qind të votave të Kuvendit, duke e bërë atë presidentin e dytë të zgjedhur me numrin më të madh të votave në historia e Republikës Italiane.

Vizita e Mattarellës në nivelin më të lartë konfirmon intensitetin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, në fushën politike (Italia gjithmonë ka mbështetur ambiciet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet zhvillimin dhe rrugën e saj institucionale me një sërë nismash të gjerë bashkëpunimi) shoqërore dhe në fushën ekonomike-tregtare (Italia është partneri i tetë tregtar, me tendencë të fortë rritëse). Në vend po rritet edhe interesimi për kulturën dhe gjuhën italiane, thekson ambasada italiane në Shkup.

Për vizitë zyrtare në Shkup dy ditë më parë erdhi edhe presidentja e Republikës së Sllovakisë, Zuzana Çaputova, e cila u prit poashtu nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në kuadër të vizitës, përveç takimit kokë më kokë, u mbajt edhe takimi plenar i delegacioneve zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë, pas së cilës presidenti Pendarovski dhe presidentja Çaputova mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button