fbpx

Durmishi u rizgjodh kryetar i këshillit komunal, në shumicë BESA-VMRO, u tërhoq Ahmeti nga BDI

Këshilli i Komunës së Tetovës me 16 vota për dhe 14 të përmbajtur zgjodhi për kryetar të kuvendit komunal Besar Durmishin nga Lëvizja Besa. Shumica do të përbëhet vetëm nga Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE. Bartësi i listës nga BDI, Faton Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i këshilltarit, shkruan Portalb.mk.

Këshilltarëve të Komunës së Tetovës ju mbaruan pushimet, sot ata u kthyen në sallën e këshillit komunal për të zgjedhur kreun e tyre, ish-kryetari i përbërjes së kaluar do të jetë përsëri në krye të këshillit.

“Uroj që ky këshill të jetë konstruktiv, funksional dhe të sjell vendime në të mirën e qytetarëve. Pozita e kryetarit të këshillit më shumë është përgjegjësi se sa privilegj, ka shumë punë për tu bërë. Nuk kemi kohë për të humbur, të gjitha raportet që kanë ngelur pa kaluar menjëherë do të fillojmë në seancën e dytë. Seancat do vazhdojnë të jenë live”, tha Besar Durmishi pas u rizgjodh në këtë detyrë.

I pyetur nga Portalb.mk se a kanë marrë mësim nga gabimet e së shkuarës të cilat sollën edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për këshill, dhe se a do respektohen afatet ligjore për miratim të proceduarve. Durmishi duke mos komentuar më tej u përgjigj kështu:

“Qytetarët e dhanë verdiktin dhe treguan kush duhet të udhëheq me Komunën.”

Nga ana tjetër nga blloku opozitar në këshill, Gligorije Stojanovski tha se si listë këshilltarësh nga LSDM do jenë opozitë konstruktive.

“Do përkrahim ata që janë në interes të qytetarëve ndërsa nuk do e bëjmë të njëjtën për veprimet që janë kundër interesit qytetar”, tha Stojanovski.

Prezent në seancë ishin 30 këshilltarë nga gjithsej 31 sa ka këshilli i komunës së Tetovës.

Mungoi bartësi i listës nga BDI, Faton Ahmeti, i cili ka dhënë dorëheqje. Në seancën e radhës pritet të zëvendësohet me këshilltaren e dymbëdhjetë nga lista e BDI-së, Fatime Lika.

Pjesëmarrës në këtë këshill janë gjashtë parti politike.

Lëvizja Besa ka 12 këshilltarë apo 4 më shumë se vitin e kaluar. BDI ka 11 këshilltarë apo 1 më shumë. PDSH ka 1, apo 1 më pak se vitin e kaluar. Alternativa ka 1 aq sa edhe kishte herën e kaluar.

Në kampin maqedonas paritë kanë numrin e njëjtë si përbërjen e kaluar, VMRO-DPMNE ka 4 mandate, ndërkaq LSDM 2.

Jashtë këshillit mbetën Aleanca për Shqiptarët dhe Më mirë për Tetovën, ku nga dy këshilltarë kishin secila.

Këshilli i Komunës së Tetovës shkoi në zgjedhe me 20 gusht pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak në afatin kohor, sipas Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Shpërbërjen e Këshillit Komunal e vendosi Qeveria, ndërsa zgjedhjet i shpalli kryetari i Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button