Konferenca e NATO-s, Kovaçevski: Komunikimet strategjike janë arma më e fortë kundër dezinformimit

Në hapjen e konferencës së NATO-s për komunikuesit, e cila këtë vit po mbahet në Shkup, komandanti i Komandës për operacione të Aleancës, gjenerali Christopher Cavoli, sot iu drejtoi tri sfida 300 ekspertëve që do të marrin pjesë në panelin e diskutimeve kushtuar komunikimeve strategjike, transmeton Portalb.mk

“Fillimisht shfrytëzojeni rastin për të mësuar. Jeni të rrethuar nga liderë të lartë dhe ekspertë nga e gjithë Aleanca jonë. Bëni pyetje, sfidoni supozimet tuaja dhe flisni për tema që janë jashtë rutinës suaj të përditshme. Ka një gamë të gjerë mundësish në këtë ngjarje, nga komunikimet parandaluese deri te efektet e përgjithshme dhe synimi deri te aksesi ndaj ndikimeve tona në mjedisin e informacionit. Të gjitha këto janë kyçe për suksesin operacional. Së dyti, kohezioni është themeli i Aleancës sonë, ndaj mos e humbisni mundësinë për të ndërtuar marrëdhënie me njëri-tjetrin. Sfidoj secilin prej jush që jo vetëm të lidheni, por të qëndroni të lidhur”, theksoi Kavoli.

Së treti, shtoi ai, “zbatoni atë që keni mësuar për të ndihmuar NATO-n të jetë më e fortë, më efektive dhe e kuptuar më mirë.”

“Komunikuesit janë kritikë për suksesin e forcave tona të armatosura përkatëse dhe të Aleancës sonë.
Së bashku jemi NATO”, tha Kavoli.

Komandanti i Komandës së Aleancës për transformim, gjenerali Philippe Lavigne theksoi se në këtë konferencë po marrin pjesë ekspertët më të mirë të komunikimit nga 30 anëtarët e Aleancës.

“Ja njerëzit e vërtetë me aftësitë e duhura! Ato duhet të na mundësojnë të mbajmë kolektivisht udhëheqjen tonë në një mjedis kompleks sigurie gjithëpërfshirës. Informacionet janë burimi që përdoret dhe do të përdoret në mënyrë gjithëpërfshirëse për të destabilizuar kombet, veçanërisht demokracitë, të cilat janë më të ekspozuara për shkak të hapjes së tyre,” tha Lavigne.

Ai theksoi se fillimisht duhet të kuptojmë dhe të pajisemi me mjetet e duhura.

“Kemi parë se strategjia politike e Putinit synon të minojë besimin, kohezionin duke shfrytëzuar demokracinë tonë. NATO duhet të ndërtojë qëndrueshmërinë e saj si Aleancë dhe të ndihmojë çdo komb të ndërtojë të vetin. Duhet të sigurohemi që zëri ynë të dëgjohet i pari”, tha ai.

Në hapje të konferencës foli Baiba Braze, ndihmës sekretarja e përgjithshme e NATO-s për diplomacinë publike.

Para të pranishmëve folën më herët kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska.

Kovaçevski deklaroi se komunikimi dhe sfera e informacionit nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin se sa sot. Kriza e sigurisë me të cilën përballet Evropa dhe bota, si dhe në sferën e informacionit përmes sigurisë kibernetike dhe sulmeve hibride, tha ai, tregon se të gjithë ne, qoftë si anëtarë të NATO-s apo si vende evropiane, aq më tepër, si vende të Ballkanit, do të duhet të vazhdojmë me fokus intensiv në këtë fushë.

Dimitar Kovaçevski në konferencën e NATO-s
Dimitar Kovaçevski në konferencën e NATO-s

“Për ne, si anëtari më i ri i NATO-s, ngjarje të tilla janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse ato përcaktojnë organizimin dhe veprimin tonë të mëtejshëm të brendshëm në fushën e komunikimeve strategjike. Si anëtare e NATO-s, jemi të përkushtuar të kontribuojmë në sigurinë kolektive. Ajo është e dukshme gjatë gjithë vitit të kaluar përmes të gjitha aktiviteteve të ndërmarra, qoftë ndihma dhe mbështetja për Ukrainën, stërvitjet ushtarake Përgjigje e shpejtë 22 apo Blesok 22 etj”, tha Kovaçevski.

Veprimtaritë ushtarake dhe politike, nënvizoi Kovaçevski janë të lidhura ngushtë me komunikimin e tyre dhe me aftësinë për t’i sjellë sa më afër dhe sa më saktë qytetarëve. Nga komunikimet dhe hapja jonë, tha ai, varet nëse dhe si qytetarët do të kuptojnë se në çfarë mënyre punojmë çdo ditë në ruajtjen e sigurisë së tyre.

“Edhe pse në qarqet e sigurisë ndonjëherë mbizotëron mendimi se kur nuk diskutohet për sigurinë në publik do të thotë se siguria po bën punën e saj, unë personalisht nuk jam dakord me atë tezë. Besoj se në epokën e dezinformatave dhe sulmeve hibride, pikërisht komunikimet strategjike kanë rolin më të rëndësishëm në luftën dhe shpërndarjen e informacionit të saktë dhe të verifikuar tek qytetarët, në krahasim me dezinformatat që kanë për qëllim të krijojnë trazira dhe frikë”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri më tej shtoi se pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë, dhe rritja masive e dezinformatave që e rrethojnë atë, kanë treguar se komunikimet mund të kenë një ndikim serioz përçarës dhe një ndikim i tillë duhet luftuar.

“Është e vërtetë që Ukraina në këtë moment po e trajton shumë mirë luftën e informacionit, për të cilën kanë mbështetjen e të gjithë neve, por është kjo luftë informative që na tregon rolin e komunikimeve në stabilitetin e një vendi dhe një rajoni.Më lejoni, si përfaqësues i parë i Qeverisë, të theksoj se lufta kundër dezinformatave është një prioritet mbi të cilin punojmë si ndërsektorialisht në Qeveri, por edhe në partneritet me median dhe qarqet civile. Vetëm një qasje e bashkuar shoqërore mund të jetë përgjigja, pasi problemi i veprimeve hibride është kompleks dhe prek shoqërinë në tërësi”, theksoi kryeministri.

Ai tha se komunikuesit tonë qeveritar dhe ministrorë kanë krijuar një sistem transparence në të cilin informacioni i saktë i verifikuar është lehtësisht i disponueshëm dhe është një burim në luftën kundër dezinformatave në baza ditore. Standardi dhe reputacioni i vendosur i hapjes dhe transparencës e bën keqinformimin të përgënjeshtrohet lehtësisht dhe përhapësit e tij të diskreditohen. Një proaktivitet i tillë ndihmon në reduktimin e përhapjes së dezinformatave.

Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në fjalimin e saj në hapjen e konferencës së NATO-s për komunikues, tha se përhapja e gënjeshtrave është gjithmonë mënyra më e lehtë për të arritur dhe ndikuar tek publiku, dhe efektet e këtyre gënjeshtrave janë shkatërruese. Kjo është arsyeja pse përgjegjësia e komunikuesve të NATO-s në këtë luftë është e madhe për të fituar fitoren e së vërtetës dhe drejtësisë dhe vlerave të qëndrueshme civilizuese.

“Të gjithë e dimë doktrinën ushtarake që garanton sukses dhe parashikon katër instrumente të pushtetit kombëtar – informacionin, ekonominë, diplomacinë dhe ushtrinë. Ju, komunikuesit tanë të NATO-s, mbani në duart tuaja një nga katër instrumentet e pushtetit. Secili prej jush i pranishëm këtu, dhe ju jeni nga pothuajse të gjitha vendet aleate, duhet ta kryeni në mënyrë të përsosur rolin tuaj dhe së fundi së bashku mund të themi edhe një herë se NATO, 73 vjet pas themelimit të saj, mbetet aleanca më e fuqishme e udhëhequr nga vlerat e vërteta, të cilat janë liria individuale, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit”, theksoi ministrja Petrovska.

Nga Ministria e Mbrojtjes ditë më parë informuan se në Konferencën e NATO-s në Shkup do të diskutohen aktivitetet informative gjatë agresionit rus kundër Ukrainës, Koncepti i ri Strategjik i Aleancës dhe komunikimet digjitale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button