fbpx

Ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës në Shkup

Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut çeli një ekspozitë me fotografi për Nënën Terezë, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores me origjinë shqiptare nga Shkupi. Instituti do ta paraqesë ekspozitën me fotografi të njohësve dhe shoqëruesve të Nënës Terezë edhe nëpër kryeqendra të tjera, transmeton Zëri i Amerikës.

Në 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSH) në Maqedoninë e Veriut e shënoi këtë datë me një ekspozitë të fotografive me Nënën Terezë të bëra nga Dom Lush Gjergji dhe monsinjor Zef Gashi.

Ekspozita përkon edhe me datëlindjen dhe datën e kanonizimit të Nënës Terezë, teksa ekspozita një ditë më parë u shfaq edhe në Selanik të Greqisë.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Skender Hasani tha se ekspozita e titulluar “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.

“Nëse zbërthejmë thënien e njohur – Një fotografi vlen sa 1000 fjalë -, mund të them lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një personaliteti kompleks, siç ishte Nënë Tereza, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestoi me vepra konkrete dedikuar të sëmurëve dhe të braktisurve. Ne që qëndrojmë në kujtime për qytetin e saj të lindjes dhe në të gjitha qytetet ku emri dhe vepra e saj lartësohen, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe guxime që Nënë Tereza na i la si testament të shtrenjtë”, tha Hasani. .

Zëvendës-kryeministri Artan Grubi përkujtoi përpjekjet e disa viteve më parë për imponimin nga qarqe të ndryshme në Shkup për një identitet të tjetërsuar ndaj së shenjtës Nëna Terezë dhe lirinë e mundësinë e tanishme që datat lidhur me shenjtoren të shënohen në mënyrë institucionale. Ekspozita u mbajt në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik.

”Dhe kjo, unë vlerësoj se është e arritura më e madhe e gjithë asaj rezistence dhe gjithë atij besimi në vlerat hyjnore të Nënës Terezë dhe veprës së saj dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar politikat tjetërsuese monoetnike, monofetare, monokulturore. 25 vite bëhen pa prezencën fizike të Nënës Terezë, por 25 vite që ne me krenari e themi se është nga Shkupi, që është shqiptare, por që i takon gjithë botës” u shpreh Grubi.

“Nëna Terezë si dimension universal është shumë pak e njohur nga ne dhe këtu do të mundohemi të bëjmë një kombinim… atë që është pak e njohur për botën, siç është jeta, fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut ne t’ia prezentojmë botës, ndërkaq, atë që nuk e njohim boll ne si departament ta zbërthejmë e ta shkoqisim në forma të tilla siç është kjo ekspozitë”, tha Emin Azemi, studiues i ITKSH-së.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës ishte murgeshë dhe misionare. U lind në Shkup, asokohe qendra e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button